Sindikata e Kulturës në protestë kundër shfuqizimit të marrëveshjes kolektive
Me një performancë simbolike të një "funerali" drejtësie...

Me një performancë simbolike të një "funerali" drejtësie, duke ndezur qirinj para pankartave me mbishkrimet "Drejtësi " dhe "Të drejta", Sindikata e Kulturës ka dalë në protestë përpara Gjykatës Kushtetuese kundër shfuqizimit të marrëveshjes kolektive për të punësuarit në institucionet e kulturës.
Nga sindikata druajnë se me këtë akt mund të kërcënohen të drejtat e mijëra të punësuarve, përfshi këtu edhe përllogaritjen aktuale të pagave.
“Ne nuk kërkojmë asgjë, kërkojmë diçka që ka filluar të kërkohet prej shekullit 17-18 mund të them. Miq të dashur ne nuk kërkojmë asgjë përveç se të drejtave tona që kanë kërkuar, siç thash më herët në shekullin 17 e 18 dhe këto grupime të punëtorëve janë ndaluar në vitin 1800 në Angli. Pyetja ime është a kthehemi ne në vitin 1800 kur u ndaluan grupimet dhe kjo nëse bëhet si presedan do të jetë shumë e vështirë.”, - deklaroi Diu Rashidi nga Sindikata e Kulturës.
Protestuesit këmbëngulin në mbrojtje të të drejtave të tyre.
“Bëhet fjalë për llogaritjen e pagave, pagat thuhej se ishin shumë të larta, nuk kishte marrëveshje kolektive në kulturë për 30 vjet, pagat paguheshin siç vendosnin drejtorët, ato ishin shumë të ulëta.”, - tha një protestues.
“Vlera e koeficientit shumëzohet me punën, kështu që kushdo që punon normalisht do të ketë të gjitha të drejtat e reduktuara nga fakti se ata që duan që vlera e koeficientit si minimum të hiqet.”, - tha një protestues tjetër.
Kryetarja e Sindikatës së Kulturës tha se është absurde që punëtorët duhet të mbrojnë të drejtat e tyre të fituara para institucionit që supozohet të jetë mbrojtës i kushtetutshmërisë.
Protestuesit kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të shtyjë vendimin e saj deri në mbajtjen e një seance dëgjimore publike në të cilën përfaqësuesit e sindikatës do të kenë mundësinë të paraqesin argumentet e tyre. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)
