Rokas: Pas ndryshimeve kushtetuese synohen dy konferenca ndërqeveritare

27.11.2026 17:43

Nëse Kuvendi i miraton ndryshimet kushtetuese...

Nëse Kuvendi i miraton ndryshimet kushtetuese, synimi i Bashkimit Evropian është që Maqedonia e Veriut të mbajë dy konferenca ndërqeveritare me BE-në brenda së njëjtës ditë dhe të hapë grupkapitullin e parë “Themeloret”, thotë euroambasadori Mihalis Rokas, në një intervistë për “360 Gradë” në sevisin publik.

Sipas tij, që të dy konferencat të mbahen njëra pas tjetrës, deri atëherë duhet të përfundojnë dy udhërrëfyes dhe një plan veprimi, si dhe të merret miratimi i vendeve anëtare të BE-së.

“Është koha e fundit që të shfrytëzohet kjo mundësi e madhe. Ekziston një përkushtim i madh nga udhëheqësit e BE-së. Mesazhet e tyre janë plotësisht të qarta – vendi i Maqedonisë së Veriut është në BE. Ne dëshirojmë që të vazhdoni negociatat e anëtarësimit, por, natyrisht, marrëveshjet dhe obligimet e marra përsipër duhet të zbatohen me mirëbesim dhe duhet të ecim përpara. Personalisht, jam i bindur se nëse ka përparim në çështjet e rëndësishme që lidhen me përafrimin me BE-në, luftën kundër korrupsionit, sundimin e ligjit dhe reformat, si dhe nëse hapim negociatat e anëtarësimit, atëherë do ta kemi vrullin e nevojshëm për të ecur përpara. Synimi ynë është që, menjëherë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, të mbahen dy konferenca ndërqeveritare njëra pas tjetrës, brenda së njëjtës ditë. Me konferencën e parë do të përmbyllej hapja e negociatave të anëtarësimit, ndërsa me të dytën do të hapej Klasteri “Themeloret”. Ky është synimi ynë.”, - deklaroi ambasadori i BE-së, Mihalis Rokas.