Maqedoni
Shqiptarët festojnë Ditën e Flamurit, Gashi uron 28 Nëntorin
28.11.2026 12:05
Gashi, ka përcjellë urimet e tij për shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit...

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka përcjellë urimet e tij për shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, duke vlerësuar rëndësinë historike dhe kombëtare të kësaj date.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Gashi ka theksuar se 28 Nëntori simbolizon bashkimin e sakrificave historike dhe aspiratave shekullore të shqiptarëve për liri, duke mbetur një nga datat më të rëndësishme në kujtesën dhe identitetin kombëtar.
“28 Nëntori është një nga datat më domethënëse të historisë kombëtare shqiptare. Është dita kur kujtesa historike, sakrifica dhe aspirata shekullore për liri përbashkohen në një simbol, i cili ndër breza e ka mbajtur gjallë identitetin, dinjitetin dhe krenarinë e popullit shqiptar”, ka shkruar Gashi.
Duke iu referuar rëndësisë së kësaj feste për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, kryeparlamentari ka vënë në pah domosdoshmërinë e ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, si dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie te brezat e rinj.
