Maqedoni
Tetovë, marsh festiv për shënimin e 28 Nëntorit
28.11.2026 15:18
As shiu dhe as temperaturat e ulëta nuk arritën të ndalin festën kuqezi në Tetovë....

As shiu dhe as temperaturat e ulëta nuk arritën të ndalin festën kuqezi në Tetovë. Me flamuj në duar, emocione dhe krenari kombëtare, qindra nxënës dhe qytetarë dolën për të shënuar 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit. Aktivitetet nisën me marshin simbolik “Flamuri që na bashkon”, nga Universiteti i Evropës Juglindore deri në sheshin e qytetit. Rreth 1.500 nxënës të shkollave fillore dhe të mesme morën pjesë në këtë marsh, duke i dhënë një pamje të veçantë festës. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, u shpreh i emocionuar për pjesëmarrjen e të rinjve dhe mesazhin që përcollën në këtë ditë të shënuar.
“Flamuri jonë është i gjallë, flamuri jonë është që valvitet në zemrat e këtyre të rinjve që sot në këtë kohë të shiut, në këtë kohë të dimrit po valvitin flamurin kuqezi. Urime Tetovë, urime shqiptarë, Ditën e Flamurit, 28 Nëntorin! Rrisni emocionet në këtë ditë kaq të bukur, në një ditë nëntori që është më e bukura për ne shqiptarët. Sot jemi në sheshin e Tetovës për të festuar ditën më të bukur, Ditën e Flamurit tonë, ditën që na bashkon. Sot, nga rrethrrotullimi i Universitetit të Evropës Juglindore deri në këtë shesh, rreth 1.500 nxënës i dhanë madhështi marshit 'Flamuri që na bashkon'. Falënderim i veçantë për organizatorët, mësuesit që përgatitën nxënësit dhe prindërit që sot festojmë bashkë me ta.”, u shpreh kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Në nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, shkollat fillore dhe të mesme të Tetovës kanë organizuar edhe aktivitete të shumta kulturore e artistike, përmes të cilave nxënësit kanë përcjellë vlerat, traditat dhe historinë kombëtare.
VISAR SADIKI
