Maqedoni
Shqiptarët festojnë, partitë politike urojnë 28 Nëntorin
28.11.2026 16:51
Me rastin e 28 Nëntorit, edhe parti politike kanë përcjellë urimet e tyre për Ditën e Flamurit....

Me rastin e 28 Nëntorit, edhe parti politike kanë përcjellë urimet e tyre për Ditën e Flamurit. Koalicioni VLEN, përmes një komunikate për media, ku ka vlerësuar sakrificën dhe qëndresën e popullit shqiptar, si dhe ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me Tiranën zyrtare.
“VLEN përcjell urimet më të përzemërta për 28 Nëntorin për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë si dhe për institucionet e Republikës së Shqipërisë. Ky moment është një nga datat që dëshmon forcën e sakrificës dhe qëndresës së popullit shqiptar. VLEN vlerëson bashkëpunimin strategjik dhe të vazhdueshëm me Tiranën zyrtare dhe angazhohet për forcimin e lidhjeve ndërshqiptare, zhvillimin ekonomik dhe përparimin institucional. Në këtë ditë të shënuar, le të na bashkojë historia, të na frymëzojë flamuri dhe të na udhëheq përgjegjësia për një të ardhme më të mire.”, – shkruan Koalicioni VLEN në komunikatën për media.
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka uruar shqiptarët për 28 Nëntorin, duke bërë thirrje që festa të kremtohet me dinjitet, krenari dhe përgjegjësi. BDI njëkohësisht ka apeluar për shmangien e provokimeve dhe tensioneve.
“Apelojmë që të mos biem pre e asnjë provokimi, nxitjeje apo skenari të mundshëm nga qarqe të caktuara, të cilat mund të synojnë të krijojnë tensione dhe të zbehin madhështinë e kësaj dite. Çdo përpjekje për ta shndërruar festën tonë kombëtare në burim tensionesh duhet të marrë përgjigjen tonë përmes maturisë, dinjitetit dhe unitetit. Theksojmë se flamuri kombëtar shqiptar gëzon mbrojtje ligjore, si në përdorimin privat nga qytetarët, ashtu edhe në përdorimin zyrtar nga vetë institucionet, në përputhje me legjislacionin në fuqi.”, - thuhet në komunikatën e BDI-së.
“Sot kujtojmë me nderim dhe përulje të thellë vizionin e rilindasve tanë, të cilët me penë, fjalë e guxim hodhën themelet e shtetformimit dhe të vetëdijes kombëtare, si dhe sakrificën sublime të dëshmorëve të kombit. Amaneti i tyre nuk është thjesht një kujtim i bukur i së kaluarës, por një detyrim i përditshëm që na udhëheq në çdo hap.”, – thuhet në urimin e Lidhjes Shqiptare, të Ziadin Selës.
Edhe PDSH-ja ka uruar shqiptarët për festën e flamurit.
”28 Nëntori është simbol i një historie që nuk është ndërtuar lehtë, por me sakrificë, përkushtim dhe qëndresë të vazhdueshme. Kjo ditë na kujton se identiteti kombëtar, liria dhe dinjiteti nuk janë vlera të zakonshme, por ideale për të cilat breza të tërë shqiptarësh kanë sakrifikuar.”, – thuhet në urim.
FARIJE DAUTI BAKIU
