Maqedoni
Rasti “Celula”, Prokuroria: Fuga të pranojë të tre veprat
27.04.2016 16:49
Është anuluar seanca kryesore për rastin “Celula”, pasi avokatët kërkuan kohë për të shqyrtuar provat e për t’u konsultuar me klientët dhe familjet e tyre...

Njëri nga pesë të akuzuarit të rastit “Celula”, Isa Fuga, shprehu gatishmëri për të pranuar një pjesë të fajit me të vetmin qëllim, të largohet nga burgu i Shutkës, ku kushtet janë katastrofale.
I akuzuari thotë se ka pasur vetëm bisedë telefonike me një mik, i cili në atë moment ka qenë në luftën e Sirisë, por nuk e pranon veprën e plotë me të cilën ngarkohet.
“Njëra vepër, që në fakt nuk është vepër sipas vlerësimit tim profesional, një bisedë telefonike që e ka bërë me një mik, për të cilin nuk e ka ditur se është në Siri, por ka menduar se është në Gjermani, fundja edhe pesë herë po të kishte telefonuar dhe po t’a kishte pyetur për shëndetin e tij, nëse është i plagosur, kjo nuk ka lidhje me vepër penale.”- deklaroi avokati mbrojtës, Evto Spirovski.
Por, gjykatësi tha se për momentin ai nuk mund të bëjë rivlerësim të akuzës, pasi Isa Fuga akuzohet për tre vepra penale dhe duhet t’i pranojë të gjitha. Sipas tij, ka prova që tregojnë se të akuzuarit janë fajtorë për veprën “pjesëmarrje në ushtri, struktura militare dhe paramilitare të huaja”.
“Veprat penale janë dëshmuar nga provat e grumbulluara dhe nga provat e siguruara përmes masave të posaçme hetuese si dhe përmes analizës së mjeteve për komunikim elektronik që i kanë përdorur të akuzuarit. Prej tyre vërehet komunikim i ndërsjellë, por edhe komunikim me persona të tretë që gjenden në vatrat e luftës, dhe që janë pjesë e formacioneve paramilitare si dhe me persona që kanë vepruar si logjistikë për transport deri në vatrat e luftës dhe përfshirje të personave në veprime ushtarake.”- tha prokurori, Vlladimir Milloshevski.
Në aksionin “Celula”, në fillim ishin të akuzuar 11 persona, por gjashtë prej tyre pranuan fajin, mes të cilëve edhe hoxha i xhamisë “Tutunsuz”, Rexhep Memishi, të cilët morën dënime me burg prej 5-7 vjet. Pesë personat tjerë vendosën të vërtetën dhe drejtësinë t’a dëshmojnë në proces gjyqësor.
BELINDA KOKA-ADEMI
