Maqedoni
Bërnjancë, nxënësit kërkojnë mësim në shkollën e fshatit
01.09.2021 13:55
Nxënësit e fshatit Bërnjancë, as këtë vit nuk nisën ditën e parë të shkollës si bashkëmoshatarët e tyre...

Nxënësit e fshatit Bërnjancë, as këtë vit nuk nisën ditën e parë të shkollës si bashkëmoshatarët e tyre. Ata nuk mund ta ndjekin mësimin në shkollën që e kanë vetëm disa hapa larg e që menaxhohet nga komuna e Gazi Babës, pasi kryetari i komunës, çdo vit gjen arsye për të mos lejuar shfrytëzimin e objektit shkollor prej tyre. Si pasojë, rreth 60 nxënës detyrohen të udhëtojnë rreth 3 km rrugë për të shkuar deri në Haraçinë. Prindërit janë të vendosur që sivjet të mos i lënë të shkojnë aq larg.
“Aty e kemi shkollën afër, ne nuk jemi kundër maqedonasve, ne kemi bashkëpunim me ato dhe i kemi fqinj. Këtu në Haraçinë po kemi probleme dimrit, qentë po i hanë fëmijët dhe duhet familjarët të angazhohen gjatë tërë ditës në shkollë për t’i dërguar dhe pritur fëmijët.”,- tha një prind.
“Unë nuk i çoj fëmijët pa u hap shkolla në Bërnjancë, fëmijët tanë a nuk janë fëmijë sikur të tjerët?”,- theksoi një prind.
“Fëmijët tanë traumatizohen nga frika që ju kanoset gjatë 3 kilometrave për të ardhur të bëjnë mësimin këtu, ne kërkojmë zgjidhje për këta fëmijë, përndryshe ndoshta do të shkojë i gjithë viti dhe fëmijët nuk do t’i lëshojmë në shkollë.”,- u shpreh një prind.
Drejtori i Shkollës Fillore në Haraçinë, Azam Aki, akuzon kryetarin e komunës së Gazi Babës për diskriminim etnik, me moslejimin e shfrytëzimit të objektit të Shkollës “Kërsto Misirkov” nga nxënësit shqiptarë të Bërnjancës.
“Kemi bërë kërkesat të njëpasnjëshme, mirëpo kryetari i komunës së Gazi Babes nuk e di çfarë mendon për këta nxënës. Këto janë banorë të atjehit, shtëpitë i kanë blerë prej maqedonasve. Kur atyre u takon të mësojnë në atë shkollë, përse ne nuk na takon. Disa vite më herët edhe në këtë shkollë kanë mësuar nxënës maqedonas dhe nuk kemi pasur asnjë arsye të jemi kundër tyre.”,- deklaroi drejtori i Sh. F. “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Azam Aki.
Kryetari i Gazi Babës, Boris Georgievski, refuzon të përgjigjet për këtë problematikë. Pak ditë më parë arsyetoi vendimin për të mos lejuar shfrytëzimin e shkollës, siç tha, për shkak të protokolleve anti Covid në fuqi. Teksa Georgievski edhe sivjet doli me arsyetim të ri për të pamundësuar që nxënësit shqiptarë të mësojnë në objekti pak metra larg shtëpive, këta nxënës aktualisht do të mbeten pa mësim e përgjegjësia do të hidhet nga një institucion në tjetrin.
ZEKIRJA MEXHITI
