Regjistrimi i popullsisë, ASh: Mungojnë 400 mijë qytetarë

06.04.2022 14:31

Opozita shqiptare vazhdon ta cilësojë si të dyshimtë....

Opozita shqiptare vazhdon ta cilësojë si të dyshimtë dhe të manipuluar në dëm të shqiptarëve rezultatin e regjistrimit.

Aleanca për Shqiptarët në “Argument” në TVM2 konsideron se numrat final me gjithë imputimin prej 132 mijë qytetarëve anonimë për nga përkatësia etnike dhe feja nuk korrespondojnë me numrin e qytetarëve që gëzojnë shtetësinë e vendit, qofshin rezidentë apo jorezidentë.

Lëvizja Besa: Dolën më pak shqiptarë, u bënë pazare politike

Lëvizja Besa akuzon për pazare politike,  pasi pretendon se në regjistrimin e fundit mungojnë mbi 50 mijë qytetarë nga tre qytete më të mëdha shqiptare - Gostivari, Kërçova dhe Struga.

Çdo i gjashtëmbëdhjeti qytetarë në këtë shtet nuk është regjistruar. Deklarata e ministrit të brendshëm Spasovski para një viti, i cili thotë që 2 milion e gjysmë njerëz kanë shtetësi të Maqedonisë së Veriut, këtu përsëri kemi një diskrepancë ku mungojnë diku 400 mijë qytetarë përsëri në bazë të numrave që këta i prodhojnë me gjithë këta të imputuarit.”,- tha Arben Fetai nga Aleanca për Shqiptarët.

“Nga Ish Federata Jugosllave dhe regjistrimit të vitit 2002 ku kanë qenë diku 509 mijë 038 shqiptarë të regjistruar dhe tani,  nuk përputhen aspak numrat, pra mungojnë o në diasporë, o mungojnë këtu diku në RMV disa shqiptarë që nuk janë fare në entin statistikor.”,- theksoi zëdhënësi i Lëvizjes Besa, Faruk Avdiu.

Selami: Mërgata shqiptare nuk u regjistrua në tërësi

Zëvendës drejtori i Entit të Statistikës, Ilmi Selami, u sqarua se numri në rënie të shqiptarëve të regjistruar është si pasojë e mos regjistrimit të mërgatës pas ndërprerjes së hovit të parë të regjistrimit.

“Ne e dimë se nuk janë regjistruar të gjithë joezidentët. U takuan Mickovski me Zaevin dhe u morën vesh, i kapi paniku nga regjistrimi që filloi me të madhe të bëhet në diasporë dhe thanë se kjo është një çështje që nëse e lëmë të shkoj deri në fund do të na hajë i mallkuari dreq dhe kështu u morën vesh që të shtyhet dhe të blihet kohë duke  ndihmuar madje edhe ju si opozitë.”,- u shpreh zëvendësdrejtori i Entit Shtetëror të Statistikës, Ilmi Selami.

Por opozita akuzon se pasi regjistrimin e ndalën autoritetet , mërgata e pa që procesi po manipulohet. Selami kërkon nga të gjitha partitë të fokusohen në aksion politik për të ndaluar migrimin.

Rezultatet e fundit sipas tij,  imponojnë nevojën për një rishqyrtim të legjislaturës që ka të bëjë me të drejtat e komuniteteve për përpilimin e politikave të reja. (Meral Ismaili, TVM2)