Maqedoni

Aksidenti pranë “City Mall”, Gjorgjiev i penduar, familja e viktimës s’i beson

06.04.2022 15:01

I akuzuari, Jordan Gjorgjiev, pranoi fajësinë dhe shprehu pendesë të thellë për aksidentin e para dy muajve që rezultoi me një viktimë e një të lënduar....

I akuzuari, Jordan Gjorgjiev, pranoi fajësinë dhe shprehu pendesë të thellë për aksidentin e para dy muajve që rezultoi me një viktimë e një  të lënduar. Prokuroria thotë se aksidenti ndodhi në një vendkalim për këmbësorë teksa i akuzuari drejtonte makinën me shpejtësi prej 67.3 kilometra në orë, pra mbi shpejtësinë e lejuar në atë zonë. Pala e dëmtuar kërkon nga gjykata zero tolerancë. Ata nuk i besojnë kësaj pendese që erdhi në sallën e gjyqit, 76 ditë pas aksidentit. Mbrojtja thotë se pendesa është e sinqertë. 
 
“Pendesa për fat të keq në këtë shtet bëhet sa për formë. Kanë kaluar 76 ditë nga aksidenti e gjatë këtyre ditëve as i janë lajmëruar familjes së viktimës e as ka kërkuar falje publikisht.”,- theksoi avokati i familjes së viktimës, Vladimir Mihajlov.
 
“Pala e dëmtuar asnjëherë nuk pajtohet as me pendesën e shprehur. Sa herë që bëhet fjalë për vepra me pasojë vdekje ata kërkojnë kushtimisht thënë “gjak për gjak”. Ata nuk do kënaqen as me dënim me burg prej 15 vitesh.”,- tha avokati i të akuzuarit, Dushko Jankoviç.
 
Në aksidentin pranë qendrës tregtare në “City Mall”, humbi jetën 24 vjeçarja, Viktorija Nikolova, dhe një tjetër u lëndua. Ata po kalonin në rrugën e shënuar për këmbësorë kur makina u përplas me ta.
 
REXHEP QAMILI