Regjistrimi në shkolla të mesme, këtë vit aplikimi në formë elektronike
Nxënësit që do të regjistrohen sivjet në shkollat e mesme....

Nxënësit që do të regjistrohen sivjet në shkollat e mesme, nga ky vit do të mund të aplikojnë në mënyrë elektronike. Këtë muaj do të fillojnë trajnimet për mësuesit për shfrytëzimin e sistemit që do të jetë funksional në qershor, kur edhe nis regjistrimi. Aplikimi elektronik do të shmangë rrëmujat para sporteleve, do të kursejë shpenzimet për dërgimin e dokumenteve me postë dhe kursen kohën.
Shërbimi i ri dixhital - realizohet nga Ministria e Arsimit dhe Qendra për Menaxhimin e Ndryshimeve, në kuadër të projektit të financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar.
“Përveç të gjitha përfitimeve, dixhitalizimi i shërbimeve nënkupton edhe minimizimin e mundësisë së çdo veprimi korruptiv. Në periudhën e ardhshme do të vazhdojmë të investojmë në zhvillimin dixhital me partnerët tanë për të ndërtuar një sistem arsimor, modern dhe shërbime publike që janë lehtësisht të arritshme për të gjithë.”,- tha Jeton Shaqiri nga MASh.
“Mbështetja në këto reforma do të sjellë ndryshim në jetën e njerëzve. Ne kemi shumë vite që punojmë me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në programet e mbështetura nga UNICEF në arsimin parashkollor. Kur ndodhi pandemia, ne punuam në përshtatjen e programeve për të përballuar sfidën.”,- theksoi ambasadorja e Britanisë në RMV, Rachel Galloway.
Sipas një hulumtimi të Eurostat, niveli i aftësive digjitale te popullsia në Maqedoninë e Veriut është rreth 32%, derisa në Britaninë e Madhe është 74%. Por, ndryshe është gjendja tek të rinjtë, ku sipas hulumtimit të Eurostat aftësi digjitale posedojnë 74% e të rinjve të moshës 16 deri në 19 vjeç. (Gyltene Sinani, TVM2)
