Spekulimet në treg, manipulim me çmimet dhe afatet e produkteve
06.04.2022 16:09
Etiketa të kuqe që simbolizojnë çmime me ofertë të një artikulli, edhe pse realisht nuk ka lirim...

Etiketa të kuqe që simbolizojnë çmime me ofertë të një artikulli, edhe pse realisht nuk ka lirim, rafte plot artikuj pa çmime, ushqime me afat të skaduar. Pamjet e xhiruara nga një vizitë rastësore në një market, qytetarët i shohin çdo ditë.
Pse nuk ka çmime në disa produkte?
- Shitësi: Ku, për çfarë produktesh?
Ja atje plot çmime nuk figurojnë.
- Shitësi: Për besë nuk e di. Ja kjo është 399 kg, 145 denarë kushton.
Manipulimi me çmimet e ndryshme të shfaqura në rafte dhe ato gjatë pagesës në kasa konfirmohen edhe nga qytetarët e anketuar. Këtë dukuri ata e cilësojnë si truk marketingu, sepse kur shohin një artikull të lirë, e marrin, e më pas shumë prej tyre u vjen turp ta kthejnë nëse ndryshimi i çmimit është disa denarë.
“Në disa markete më ka ndodhur. Tjetër çmim ka në rafte e tjetër çmim ka në kasë.”,- u shpreh një qytetar.
“Diku ka. Nuk është aspak në rregull, por aty shteti duhet të ndërhyjë, jo ne.”,- tha një qytetar.
“Po me ka ndodhur. Zakonisht bëjnë përzierje çmimesh aty në rafte. Aty shkruan tjetër çmim, në kasë del çmimi ndryshe.”,- theksoi një qytetar.
Ka edhe konsumatorë që arsyetojnë diferencat e çmimeve me numrin e vogël të punonjësve, të cilët nuk kanë mundësi që në kohë të bëjnë ndryshimet. Megjithatë, ata pajtohen se kontrollet duhet të shtohen.
“Këtu i ke 30 mijë artikuj, te të gjitha duhet fizikisht të intervenohet dhe ka mundësi të ketë ndonjë lëshim.”,- deklaroi një qytetar.
“Marketet nuk kontrollohen. Duhet inspektorati të bëjë kontroll sistematike, kohë pas kohe e jo si kanë vepruar më herët.”,- theksoi një qytetar.
Manipulimi i çmimeve nuk është problemi i vetëm. Ndodh të ndryshojë edhe afati i skadencës së produkteve.
“Ndodh ndonjëherë që edhe nga vetë prodhuesit datat të fshihen. Fatkeqësisht kur edhe kalon afati është mirë të mos ndërmarrim rreziqe të tilla… pasi sërish është në lojë shëndeti i konsumatorit. Ushqimeve të cilave iu skadon afati, sidomos tani kur fillojnë të rriten temperaturat, produktet e mishit, është mirë që të evitohen, një ditë ose dy ditë nëse janë para afatit të mos konsumohen.”,- deklaroi nutricionistja, Valbona Kadriu.
Ekonomisti, Arben Halili, thotë se tentativa për të mashtruar konsumatorin, kryesisht bëhet në ato vende ku ka potencial që konsumatori të marrë më shumë se dy prodhime. Ai apelon qytetarët që të jenë më të kujdesshëm e sidomos të paraqesin parregullsitë.
“Vetëdijesimi nuk nënkupton vetëm ndjekjen e çmimeve në rafte dhe vetëkontroll në llogaritë fiskale, por njëkohësisht duhet që ky cikël të përmbyllet me atë që të informohen edhe inspektoratet përkatëse dhe normalisht të dokumentohet këto raste. Sa më tepër ne si konsumatorë do t’i paraqesim këta manipulime të herëpashershme, sigurisht që më pak hapësirë edhe më pak guxim do të kenë edhe shitësit për ta bërë të njëjtën gjë.”,- deklaroi ekonomisti, Arben Halili.
Në adresë të Organizatës së Konsumatorëve më së shpeshti arrin ankesa për deklarata të papërshtatshme dhe çmime të dukshme që ndryshojnë te arka e pagesës. Në nenet 12, 13 dhe 14 të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit thuhet se shitësi është i detyruar të shkruajë qartë çmimin e vjetër dhe atë të ri të artikullit. Shitësit janë gjithashtu të detyruar të veçojnë produktet që janë para afatit të skadencës me një shpjegim informues që tregon arsyen e uljes së çmimit dhe datën e skadencës së produktit.
Në periudhën 03 janar – 13 mars 2022, Inspektorati Shtetëror i Tregut ka kryer 5399 inspektime, nga të cilat 639 janë inspektime të jashtëzakonshme në tregtinë me shumicë dhe pakicë dhe 8340 kontrolle në të gjithë territorin e shtetit. Janë lëshuar 731 urdhërpagesa për kundërvajtje dhe për to është caktuar gjobë në varësi të madhësisë së personit juridik. Nga Inspektorati i Tregut nuk kishin përgjigje për pyetjen se sa prej këtyre shkeljeve kanë qenë për shkak të manipulimit të çmimeve apo afateve të skadencës. Ata inkurajojnë qytetarët që të raportojnë nëse vërejnë ndonjë parregullsi në tregje. (Gazetare: Sanije Duraku)
Kronika u realizua si bashkëpunim mes TVM2 dhe Institutit për Studime të Komunikimit (ISK).
