Maqedoni
Kryeparlamentari i përgjigjet ASh-së, Xhaferi: Kuvendi nuk është hetuesi dhe gjykatë
06.04.2022 16:14
Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, sqaroi të gjitha arsyet pse ka zhbërë vendimin kryetarit të Komisionit Anketues...

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, sqaroi të gjitha arsyet pse ka zhbërë vendimin kryetarit të Komisionit Anketues, Halil Snopçe për seancën për shqyrtimin e informatave për rastin e BesaTransit, spitalin modular në Tetovë dhe informatën e kolonelit, Huhedin Bela, për situatën në ARM. Për të tre rastet janë hapur procedura gjyqësore dhe Kuvendi nuk mund të ndërhyjë kompetencat e pushteteve të tjera, theksoi Xhaferi.
“Trupat punues nuk mund të kenë funksion hetimor dhe gjyqësor sepse të dy pikat që pretendonte të sqarohen janë në proces gjyqësor. Dhe, përderisa materialet dhe çështja është në kompetencë të gjyqësorit dhe në proces hetimor nuk mund të përdoren informacione, cilat do qofshin ato, që mund të shkojnë në favor të zbardhjes.”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Xhaferi: Nuk po përpiqem të mbroj askënd
Xhaferi hodhi poshtë pretendimet se me veprimin e tij përpiqet të mbrojë të përfshirët apo fajtorët eventualë për rastet në fjalë. Akuzoi deputetin Snopçe se për përfitime politike, po gërvisht plagët e familjarëve të viktimave.
“Talat Xhaferi as mbron dikë as ka nevojë të mbrojë dikë për faktin që nuk është kompetencë e Talat Xhaferit dhe e Parlamentit që të merret me çështje hetimore për të verifikuar kush çfarë fajësie ka dhe çfarë përfshirje ka në rastet konkrete. Ato janë kompetenca të organeve hetimore dhe gjyqësorit dhe ne si Parlament kemi obligim mbi bazë të ndarjes së pushteteve të respektojmë kompetencat dhe të drejtat e pushteteve të tjera.”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
Xhaferi u kërkoi ndjesë qytetarëve të prekur nga rastet në fjalë. Konsideron se anulimi i seancës së Komisionit Anketues është korrekt dhe ligjor dhe se në asnjë rast nuk do të lejojë shkelje të Rregullores. Sipas tij, rihapja e këtyre temave nga opozita një ditë më parë, ka për qëllim përfitimin e pikëve politike.
SHPËTIM NUREDINI
