Botë

Lufta në Ukrainë, pas Buchas, rusët i drejtohen Borodyankas

06.04.2022 16:50

Pas krimeve të kryera në Bucha, krimet e radhës nga forcat ruse u shkaktuan në qytetin Borodyanka afër Kievit..

Pas krimeve të kryera në Bucha, krimet e radhës nga forcat ruse u shkaktuan në qytetin Borodyanka afër Kievit. Atje gjithçka u shkatërrua dhe shumë njerëz u vranë. Nga qyteti nuk ka mbetur pothuajse asgjë. Atje po shpërndahen ndihma humanitare, por njerëzit kërkojnë fizikisht njëri-tjetrin dhe qajnë kur gjejnë të afërm të gjallë. Të tjerët qajnë viktimat. 
 
“Ne po ecnim të ndjekur nga dy makina civile dhe ata i qëlluan. Ishte një ekzekutim.”,- tha prifti ortodoks, At Dmytro.
 
“Burri im nuk ishte ushtar. Ai kurrë nuk kishte mbajtur armë. Ishte një njeri paqësor. Ata e morën nga shtëpia me pantofla, i kërkuan të hiqte këmishën, i kërkuan të gjunjëzohej në tokë dhe e vranë.”,- theksoi Iryna Abramov.
 
"Kthimi më bëri bosh dhe të frikësuar, më herët qyteti ishte shumë i bukur, shumë i gjelbër, tani e kanë shkatërruar.”,- u shpreh një banore e Borodyankës.
 
"Shpërthimi shkatërroi xhamin, kornizat e dritareve - gjithçka thjesht u shkatërrua. Ishte e tmerrshme. Fqinja ime dhe unë zbritëm në bodrum nga bodrumi dëgjuam se dridhej toka, dridhej shtëpia. Predha na goditi shtëpinë, ishim me fat që zbritëm në bodrum 2- 3 minuta para granatimeve. Pas kësaj ra një goditje e menjëhershme. Dhe sikur të kishim qëndruar edhe pak më gjatë, nuk do të ishim gjallë.”,- deklaroi një banor i Borodyankës.
 
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, kërkoi nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së që liderët rusë të vendosen para drejtësisë për krime lufte. Ai kërkoi një gjykim të ngjashëm me atë të Nurembergut pas Luftës së Dytë Botërore dhe vuri në pikëpyetje aftësinë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të ofruar siguri.
 
“Këshilli i Sigurimit i OKB-së ekziston dhe siguria në botë nuk ekziston. Për këdo. Tani Kievi është kryeqyteti i demokracisë globale, kryeqyteti i luftës për liri për të gjithë në kontinentin evropian.”,- theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Prokurorët ukrainas po hetojnë rreth 5,000 krime të dyshuara ruse, pak pasi u zbuluan aktet mizore në Bucha, ngjarje e cila nxiti perëndimin dhe SHBA të shtojnë sanksione të tjera kundër Rusisë. Gjatë ditës janë granatuar edhe Dnipro dhe Mariupoli.
 
FARIJE DUATI BAKIJU