Maqedoni

VMRO-DPMNE: Rritje pagash për gjithë sektorin publik

06.04.2022 16:59

Pushteti dhe opozita janë kapur sërish për standardin e qytetarëve....

Pushteti dhe opozita janë kapur sërish për standardin e qytetarëve. VMRO-DPMNE akuzon mazhorancën se me ndryshimet e ligjit për të punësuarit në administratë, do të ketë rritje pagash vetëm për punonjësit me nivelin “G” të kompleksitetit të punës ndërsa për të gjithë të tjerët nuk do të ketë rritje page.
 
“Kjo zgjidhje ligjore e LSDM-së dhe BDI-së nuk do të sjellë një të nesërme më të mirë dhe një standard më të mirë të qytetarëve, por do të krijojë probleme shtesë duke rritur numrin edhe ashtu të madh të qytetarëve që janë përfitues të pagës minimale. Efektet negative të kësaj zgjidhjeje ligjore do të krijojnë një çekuilibër në paga në raport me kompleksitetin e vendeve të punës.”, tha Eli Panova nga VMRO-DPMNE.
 
LSDM: Me masa efektive rrisim standardin e qytetarëve
 
Por nga LSDM këmbëngulin se masat ulin papunësinë dhe rrisin standardin jetësor të qytetarëve. Sipas tyre,  Plani Operativ për masat aktive dhe programet e punësimit për vitin 2022 parasheh mjete për hapjen e bizneseve individuale për 2000 persona.
 
“Plani operativ si një nga mjetet kyçe për uljen e shkallës së papunësisë për këtë vit ka një buxhet prej 30 milionë euro dhe do të mbulojë rreth 15 mijë të papunë.”, tha Zhaklina Lukarevska nga LSDM.
 
Mbështetja financiare për një person për të filluar biznesin e tij është 5000 euro ose deri në 10000 euro nëse dy ortakë hapin një kompani thonë në LSDM.

NAIM RAMADANI