Botë
Situata në Ukrainë, kërkohet debat urgjent për Ballkani perëndimor
06.04.2022 17:05
Ministrat e Jashtëm të Austrisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe Çekisë...

Ministrat e Jashtëm të Austrisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe Çekisë, i kërkojnë shefit të diplomacisë së Bashkimit Europian, që në mënyrë urgjente të fusë në rend dite Ballkanin Perëndimor në takimin e radhës së Këshillit të Çështje të Jashtme, duke e cilësuar këtë rajon si me rëndësi të veçantë.
Në një letër dërguar Borrelit, këto shtete thanë se duke pasur parasysh luftën në Ukrainë dhe ndikimin që mund të ketë në vendet e BE-së, duhet që Këshilli i Çështjeve të Jashtme, gjatë prillit të diskutojë për strategjinë në Ballkanin Perëndimor. Ministrat thanë se “situata gjeopolitike ka përjetuar një ndryshim të madh për shkak të agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Rusisë ndaj Ukrainës. BE-ja duhet të bëjë gjithçka që të parandalojë efektet dëmtuese të sulmit ndaj Ukrainës në Ballkanin Perëndimor. Për këtë është edhe më urgjente se kurrë më parë që t’i japim një shtytje procesit të integrimit të rajonit në BE-“, thuhet në letër.
Konkretisht, ministrat kërkuan që të përshpejtohet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, nisja e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dhënia e statusit të vendit kandidat Bosnjë e Hercegovinës dhe përshpejtimi i procesit të negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë. Në letër po ashtu u kërkua këtyre shteteve t’u jepet ndihmë me qëllim që të përballen me pasojat ekonomike që ka shkaktuar agresioni rus, në veçanti në rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe prodhimeve të tjera.
Letrën dërguar Borrellit – i cili kryeson Këshillin e Çështjeve të Jashtme – e kanë nënshkruar ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schallenberg, ai i Çekisë, Jan Lipavsky, kryediplomati hungarez, Peter Szijjarto, ministri i Jashtëm sllovak, Ivan Korcok, dhe ai slloven, Anze Logar.
Takimi i radhës i ministrave të Jashtëm të BE-së do të mbahet më 11 prill në Luksemburg. Ende nuk është e qartë nëse tema e Ballkanit Perëndimor do të vendoset në rend dite, pasi sipas burimeve diplomatike, situata aktuale në Ukrainë dhe krimet e pretenduara të forcave ruse, kërkojnë që fokusi i ministrave të jetë për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.
