Maqedoni

Heqja e 20% nga kushtetuta, Kovaçevski: Ndryshimet duhet t’i iniciojnë partitë

06.04.2022 17:27

Pas shpalljes së rezultateve të regjistrimit, janë shtuar zërat që kërkojë heqjen nga Kushtetuta të definimit të shqiptarëve si 20%...

Pas shpalljes së rezultateve të regjistrimit, janë shtuar zërat që kërkojë heqjen nga Kushtetuta të definimit të shqiptarëve si 20%. Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, shpreh gatishmëri për ndryshime kushtetuese, por, sipas tij, para se Kushtetuta të hapet, duhet të ketë dialog mes partive ku të përfshihen edhe ekspertët. 
 
“Ka paralajmërime të tilla, por Kushtetuta ndryshohet nëpërmjet procedurës kushtetuese. Kjo procedurë nënkupton se Parlamenti duhet të hapë diskutim. Në fillim duhet të fillojnë bisedime mes partive politike, ku përfshihen edhe ekspertë dhe se gjithçka çfarë paraqet avancim të raporteve mes të gjithë qytetarëve, që do të thotë avancim të jetës të shtetit si bazë për zhvillim profesional të çdo qytetari pavarësisht prejardhjes së tij, pavarësisht gjuhës që e flet. Kjo do të jetë bazë e mirë për çfarëdo ndryshime në Kushtetutë.”,- deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Xhaferi: Nëse ka vullnet, kushtetuta mund të hapet
 
20% që i referohet përdorimit të gjuhëve në Kushtetut mund të hiqet nëse ka vullnet thotë kryetari I Kuvendit, Talat Xhaferi. 
 
“Procedurat për hapjen e Kushtetutës dihet në çfarë procedure hapen, me çfarë shumice. Kështu që, nëse ka vullnet, pse jo!”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Cilësimi si etniteti 20% në Kushtetutë, është kundërshtuar në vazhdimësi nga shqiptarët. Në regjistrimin e fundit, numri i përgjithshëm i shqiptarëve ishte mbi 29%.
 
SANIJE DURAKU