Maqedoni
Osllomej, testohen pajisjet në termocentralin fotovoltaik
06.04.2022 18:29
Filloi periudha e testimit të pajisjeve të instaluara në termocentralin fotovoltaik "Osllomej"...

Filloi periudha e testimit të pajisjeve të instaluara në termocentralin fotovoltaik "Osllomej", projekt ky që realizohet me mbështetjen e Bankës Evropiane për Ripërtëritje dhe Zhvillim. Kapaciteti vjetor i prodhimit mundëson furnizimin e 2 800 amvisërive me energji elektrike. Autoritetet thonë se ky centrali fotovoltaik, shënon fillimin e platformës së gjelbër dhe strategjisë energjetike për 10 vitet e ardhshme që stimulon investimet private dhe shtetërore në burime të rinovueshme të energjisë elektrike.
“Është projekti i parë me të cilin zëvendësohet prodhimi i energjisë elektrike nga teknologjia ndotëse në atë të pastër. Është shembull i një projekti të mirë-zbatuar në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore, shembull i projekteve të ardhshme të tranzicionit energjetik në vendet e Ballkanit Perëndimor. Nuk ndalemi këtu. EMV-ja po punon në një studim të ri për një tjetër termocentral prej 10 megavat dhe janë nënshkruar kontratat për ndërtimin e dy termocentraleve të tjera fotovoltaike, me çka “Osllomej” nga thëngjilli do të kalojë tërësisht në shfrytëzimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë.”,- tha kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
“Në kuadër të strategjisë energjetike kemi paraparë që gjatë periudhës 5 deri në 10 vite e ardhshme të kemi kapacitete instaluese prej mbi 1 mijë megavat nga energjia diellore dhe mbi 500 megavat nga ajo me erë. Kjo strategji do të hapë edhe mbi 500 vende të reja të punës.”,- u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Para fillimit të ceremonisë solemne, në njërin nga transformatorët e centralit u shkaktua një zjarr, i cili u lokalizua menjëherë pas intervenimit të shpejtë të punëtorëve.
SHABAN DALIPI
