Maqedoni

Universiteti i Tetovës, studentët akuza ndaj profesoreshës Mehmedi

07.04.2022 17:57

Studentët e degës së muzikës në Fakultetin e Arteve në Tetovë, me anë të një proteste kanë kërkuar të merren masa ndaj profesoreshës Besjana Mehmedit...

Studentët e degës së muzikës në Fakultetin e Arteve në Tetovë, me anë të një proteste kanë kërkuar të merren masa ndaj profesoreshës Besjana Mehmedit, të cilën e kanë akuzuar  për kërcënime ndaj studentëve. Studentët shprehen të gatshëm të ballafaqohen edhe në gjykatë, me profesoreshën Mehmedi.
 
“Edhe pse ka vite që gjuha e profesoreshës inordinare Besiana Mehmedi ka qenë dhe vazhdon të jetë kundër çdo kodeksi etik të sjelljes, ditëve të fundit situata po bëhej gjithnjë më e padurueshme, sidomos me rastin e fundit ku reagimi në “Fejsbuk” i njërit prej studentëve në një postim, u bë “shkak” që kjo e fundit përdori një gjuhë që nuk i ka hije një profesoreshe si dhe kreu vepër penale duke e kërcënuar atë se “do e kap për fyti” dhe se me paralajmërimin se në të ardhmen duhet të “kemi kujdes si sillemi në Fejsbuk.”, tha Ardi Lena, Student.
 
Studentët morën edhe përkrahjen e këngëtarit të grupit “Elita 5” Arif Ziberi dhe ish studentët të këtij fakulteti, të cilët thane se profesoresha në fjalë ka bërë presion edhe vitet e kaluara. 
 
“Ky shqetësim ekziston që moti, unë jam në rrjedha. Dhe kam ardhur që ti përkrahi pasi çdo prind i sjell fëmijët me sakrifica e veta për të mësuar për të studiuar, por profesorja në fjalë me vite e ka në gjak maltretimin dhe ofendimin. Unë jam në rrjedha pasi e kam pasur fëmijën, tani e kam edhe fëmijën tjetër këtu në këtë fakultet dhe jam në rrjedha të gjithë këtyre fëmijëve që profesorja i bën ndaj fëmijëve.”, ka deklaruar këngëtari Arif Ziberi.
 
Dekani i këtij falkulteti Nafi Jashari thot se për këtë çështje organet e Universitetit do të takohen të hënën kur do të shqyrtohen kërkesat e studentëve. 
 
“Ne jemi në proces të zgjidhjes së problemit, studentët janë ankuar, Komisioni disiplinor është në shqyrtim të rastit, ka një takim edhe në ditën e hënë. Nëse ata vendosin se ky problem duhet të shkojë në dekanat atëherë dekanati do ta shqyrtoje, nëse edhe dekanati nuk ka mundësi që të marre një vendim të drejtë atëherë kjo do të shkojë në rektorat.”, tha dekani i Fakuletit të Arteve-USHT, Nafi Jashari.
 
Profesoresha Mehmedi ka hedhur poshtë akuzat e studentëve të cilët i akuzoi se e kritikojnë pa bazë dhe se duan note pa mësim.