Ekonomi

Bekteshi: Lufta në Ukrainë ka ndikuar në ekonominë e RMV-së

08.04.2022 13:07

Edhe pse shkëmbimi tregtar i vendit tonë me Ukrainën është vetëm 1.5%...

Edhe pse shkëmbimi tregtar i vendit tonë me Ukrainën është vetëm 1.5%, ndikimi i krizës ukrainase në tregjet evropiane me të cilat vendi ynë ka shkëmbimin më të madh tregtar, ka bërë që lufta atje të reflektojë skajshmërisht edhe në ekonominë e Maqedonisë së Veriut. Kështu theksoi ministri i ekonoisë Kreshnik Bekteshi në forumin global të Delfit në Greqi, sipas të cilit lufta në Ukrainë ndikoi fuqimisht në ekonominë globale dhe  standardin jetësor të miliona njerëzve në mbarë botën. Kjo krizë deri tani Maqedonisë së Veriut i ka kushtuar mbi 600 milion euro, tha Bekteshi. 
 
“Dy javë para nisjes së krizës ruso-ukrainase dolëm me pako prej 26 masa të cilat kanë për qëllim të mbrojnë standarin e qytetarëve dhe ta ndihmojnë ekonominë. Vlera e pakos së re të masave është rreth 400 milion euro, por në qoftë se merren parasysh masat paraprake që i ndërmorri qeveria, vlera që është dhënë për të zbutur rritjen e çmimeve është 615 milion euro.”, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i ekonomisë.
 
Që të ulet varshmëria ndaj gazit rus, shumë të rëndësishme janë investimet në diversifikimin energjetik. Andaj, veçmë po punohet në interkonektorët për gaz natyror në Greqi, i cili do të sjell stabilitet më të madh energjetik dhe siguri në gjithë rajonin. Konflikti në Ukrainë është lekcion për BE-në, prandaj edhe është shumë i nevojshëm integrimi i shpejtë i Ballkanit Perendimor në BE, tha Bekteshi me këtë rast.  
 
ERSAN PAJAZITI