Maqedoni

Janakievski: autostradat gati, së shpejti edhe hekurudha me Shqipërinë

02.01.2015 16:27

Në vitin 2014 u përkushtuam në realizimin e projekteve të mëdha, si në infrastrukturën rrugore poashtu edhe në atë hekurudhore...

Në vitin 2014 u përkushtuam në realizimin e projekteve të mëdha, si në infrastrukturën rrugore poashtu edhe në atë hekurudhore, theksoi ministri i Transportit, Mile Janakievski, në raportin e tij para qytetarëve për vitin 2014.
 
Ai tha se gjatë vitit 2014 është përgatitur gjysma e trasesë, ku duhet ndërtuar autostrada e re Shkup-Shtip dhe çereku i trasesë për autostradën Kërçovë-Ohër.
 
Për ndërtimin e këtyre dy akseve janë parashikuar 580 milionë euro. Janakievski paralajmëroi se gjatë tremujorit të parë të këtij viti do të shpallin konkurs për koncesionerë edhe për autostradën Gostivar-Kërçovë, ndërsa ai tha se përgatitet edhe ndërtimi i linjës hekurudhore drejt Shqipërisë.   
 
“Sa i përket ndërtimit të hekurudhës drejt Shqipërisë në gjatësi prej 63 km, është nënshkruar kontratë në muajin tetor të vitit të kaluar për projektimin e kësaj linje. Investimi kap shifrën prej 7.7 milionë euro dhe pritet që projekti të përfundojë kah fundi i vitit 2016”- dekaroi  ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski.
 
Janakievski, gjatë llogaridhënies vjetore informoi se kompania ajrore me buxhet të ulët, “Vizer”, do të marrë subvencione dhe do të ofrojë edhe pesë linja të reja ajrore.
 
“Me projektin për mbështetje finansiare për avio-kompani me buxhet të ulët, u zbatuan edhe pesë destinacione të reja. Në fund të vitit 2014 u  zgjodh edhe avio-kompania e cila gjatë tre viteve të ardhshme do të ofrojë edhe 5 destinacione të reja. “Viz-air”, tanimë është përzgjedhur si operatori me buxhet më të ulët, që do të ofrojë shërbime gjatë tre viteve të ardhshme”- tha Janakievski.
 
Janakievski paralajmëroi se këtë vit do të vazhdojë edhe gazifikimi i vendit dhe ndërtimi i më shumë linjave hekurudhore. 
 
NAIM RAMADANI