Botë

Temperatura rekord në Rumani, minus 31.7 gradë

02.01.2015 17:12

Në Rumani kanë mbajtur temperatura rekord të ftohta, të cilat kanë shkuar deri në -31.7 gradë celsius...

Meteorologët në këtë vend kanë njoftuar se edhe gjatë ditës së sotme temperaturat do të arrijnë nivele të larta të të ftohtit.
 
Termometri shënoi -31 gradë celsius, pak më pak se temperatura minimale më e ftohtë në histori, -35.8 gradë celsius, që është shënuar më 2005-tën. 
 
Edhe Japonia ka problem me motin e ftohtë në këto ditë të para të 2015-tës. Trafiku është rënduar ndjeshëm, madje në prefekturën nara rreth 100 makina e kaluan natën në rrugën e bllokuar nga bora.
 
Ekipet e shpëtimit kanë vështirësi në pastrimin e rrugëve, pasi ngrica dhe akulli e bëjnë terrenin tepër rrëshqitës. 
 
Por, ka një qytet ku temperatura të tilla rekord të ulëta janë të zakonshme për dimrin.
 
Qyteti më i ftohtë në botë llogaritet të jetë Jakutsk, kryeqytet i rajonit të Jakutijas në Rusi. Temperaturat në dimër në këtë qytet shkojnë mesatarisht në -34 gradë celsius.
 
Pranë këtij qyteti ndodhet edhe fshati më i ftohtë në botë, Ojmakon. Në këtë fshat është shënuar edhe temperatura më e ftohtë ndonjëherë mbi Tokë.
 
Temperatura më e ulët e matur në fshatin në fjalë ka qenë -71.2 gradë celsius dhe është shënuar përpara 90 vitesh.
 
FARIJE DAUTI - BAKIU