Maqedoni
Pastrohen 4500 km rrugë, punohet për të tjerat
02.01.2015 17:20
Ngrica e ditëve të fundit po vështirëson punët për ekipet e pastrimit të rrugëve...

Megjithatë, punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Rrugët e Maqedonisë” kanë arritur të pastrojnë deri në asfalt shumicën e rrugëve kryesore, duke mundësuar kështu komunikacion pothuajse normal në të gjitha rrugët magjistrale dhe rajonale.
Problematike gjithsesi mbetet rruga Kërçovë-Ohër, rruga për në Dibër dhe Strazha, ku apelohet për kujdes të shtuar, pajisje të domosdoshme me zinxhirë gjatë kalimit, thonë nga “Rrugët e Maqedonisë”.
Drejtori i kësaj ndërmarrje, Gajur Kadriu, ka dalë vetë në terren bashkë me të punësuarit për të parë nga afër pastrimin e rrugëve.
Kadriu thotë se në terren ka 20 kamionë dhe 40 buldozerë që po e pastrojnë rrugën Kërçovë–Ohër dhe deri tani kanë pastruar mbi 4500 kilimotra rrugë edhe përkundër pajisjeve të vjetruara që ka NP-ja “Rrugët e Maqedonisë”.
Prej mesditës funksionon normalisht edhe rruga Manastir –Ohër, por të obligueshme për autobusët dhe automjetet e rënda janë pajisjet e dimrit.
“Të gjitha rrugët magjistrale dhe rajonale janë të kalueshme, vetëm një pjesë e rrugës Kërçovë-Ohër nuk do të jetë kaluese për automjete të rënda. Ka rreth 30 rrugë lokale të vendbanimeve që kanë pak banorë dhe rrugët janë të pakalueshme, por ne presim që edhe atje situata të normalizohet”- deklaroi ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski.
Shtabi i Krizës do të takohet dy herë në ditë, për shkak të paralajmërimeve se në fundjavë do të ketë borë në pjesën më të madhe të territorit të vendit.
VLORA LATIFI - TOPOJANI
