Maqedoni
Elektrofurnizimi po normalizohet, problematike Reka
02.01.2015 17:44
Situata me furnizimin me energji elektrike të zonave që e kaluan në errësirë Vitin e Ri, po normalizohet...

Komuna e Debarcës,Vevçanit dhe Veleshtës prej dje furnizohen normalisht me energji elektrike. Por, EVN-ja informon se pika kritike në furnizim ende ka në rajonin e Strugës dhe Dibrës, veçanërisht në zonën e Rekës.
Ekipet e EN-së po punojnë intesivisht në sanimin e këtyre difekteve. Në rajonin e Rekës është duke u bërë lidhja e re e rrjetit distributiv dhe ësht ngritur largpërçuesi i ri prej 12 shtyllave.
“Pika kritike me energji elektrike ka ende në rajonin e Strugës dhe të Dibrës. Në rajonin e Strugës ka në lidhjen mes Lukovës dhe Jabllanicës, ku shtyllat janë të vështira për qasje. Ekipet e EVN-së me vështirësi po depërtojnë në këto pika, mirëpo me ndihmën e MPB–së po mundohemi që të kemi qasje sa më të drejtpërdrejta në këto pika. Ekipet e EVN–së janë duke punuar intesivisht në rritjen e kapaciteteve dhe në shuarjen e të gjitha problematikave”- deklaroi Vlera Gjakova nga EVN.
Furnizimi i enegjisë elektrike gradualisht po përmisohet edhe në qytetet e tjera të vendit. Mbrëmë vonë, ekipet e EVN-së kanë hequr defektet në dy lidhjet e 35 kilovatëve nga Struga drejt Fushës së Thatë, prej ku furnizohen me energji elektrike Vevçani, Veleshta dhe disa fshatra përreth.
Gjithashtu është larguar edhe defekti i trafostacionit 35 kilovatësh në Labunishtë. Në normalitet janë edhe largpërçuesit e 10 dhe 35 kilovatëve në Ohër, si dhe disa të tjerë në zonën e Shkupit.
Ndërkohë, nga EVN-ja thonë se difektet e vogla, që u vërejtën gjatë këtyre ditëve në shumë lagje të Shkupit, kanë ardhur si pasojë e mbingarkimit të rrjetit elektrik, por të njejtat riparohen menjëherë pas lajmërimeve të qytetarëve.
REXHEP QAMILI
