Botë
Shqipëri, acari dhe ngrica krijojnë probleme në shumë zona
02.01.2015 17:47
Shqipëria është përfshirë nga një situatë mjaft problematike sa i përket qarkullimit rrugor...
Për shkak të ngricave, akset kryesore janë të kalueshme vetëm me zinxhirë, ndërkohë që fshatrat e thella vijojnë të mbeten pa energji elektrike dhe pa ujë, i cili ka ngrirë.
Dibra mbetet një nga qarqet të cilat janë goditur më shumë nga stuhia që ka prekur vendin tonë këto ditë. Edhe pse vazhdon hedhja e kripës, përsëri rekomandohet që të lëvizet me zinxhirë në akset kryesore.
Në Korçë, situata është ende mjaft problematike, pasi është paralizuar jo vetëm lëvizja e mjeteve, por edhe e njerëzve.
Si pasojë e shtresave të akullit në rrugë, 6 persona kanë pësuar gjymtime nga rrëshqitja në akull, ndërkohë që çdo cep i qytetit të Korçës është thuajse i padukshëm, pasi është mbuluar nga një shtresë e trashë akulli.
Ndërsa në Pogradec, liqeni është kthyer i tëri në akull.
Temperaturat e ulëta kanë paralizuar zonat e thella të qarkut të Shkodrës, ku në akset e Pukës dhe Malësisë së Madhe ka ngrica që po trajtohen me kripë, por përsëri kalimi bëhet me zinxhirë.
Rruga e Kombit në qarkun e Kukësit ka ndjerë përmirësim, ku kalimi në tunelin Kalimash-Kukës-Morinë qarkullohet pa zinxhirë.
Ndërsa në qarqet Tiranë, Elbasan, Lezhë, Berat, Fier ka vetëm prani të akullit, por edhe këtu duhet pasur kujdes, sepse mund të bëhet shkak akulli për daljen nga rruga të automjeteve nëse ecin me shpejtësi.
LULJETA NDOKA
