Maqedoni
Regjistrimi i popullsisë, Nuhiu: I pakontestueshëm, s’do ketë krizë politike
10.04.2022 14:58
Dyshimet e partive opozitare mbi rezultatin e regjistrimit të popullsisë nuk mund ta kontestojnë të njëjtin...

Dyshimet e partive opozitare mbi rezultatin e regjistrimit të popullsisë nuk mund ta kontestojnë të njëjtin, vlerëson politikologu Qani Nuhiu. Sipas tij edhe pse fushata e opozitës për mosregjistrim si dhe ndërprerja dhanë efektet e tyre negative, megjithatë regjistrimi vijoi kryesisht mirë dhe tani përkundër përplasjeve s’mund të ketë krizë politike.
“Mund të konstatojmë se procesi, është e vërtetë se nuk ka qenë ideal por jo deri në atë masë sa të kontestohet në tërësi, mirpo e gjitha kjo që ndodh me reagimet në opinion të partive opozitare, subjekteve të ndryshme besoj se ka qenë diçka e pritshme edhe nga ana e institucioneve se zakonisht në këto operacione të cilat më tepër kanë konotacion politik se sa statistikor pra në shoqëri siç ndodhemi ne, është diçka e pritshme por besoj se nuk mund të prodhojnë ndonjë krizë të madhe politike”, u shpreh politikologu Qani Nuhiu.
Regjistrimi i popullsisë, Nuhiu: Skeptik për ndryshimet kushtetuese
Zëvendës drejtori i Statistikës Ilmi Selami ditë më parë njoftoi se tanimë nevojitet revizion I të gjitha ligjeve që kanë të bëjnë me përmbushjen e të drejtave të komuniteteve në vend duke u thirur nga rezultatet e regjistrimit. Njëkohësisht u shtuan zërat për heqjen nga kushtetuta të definimit të shqiptarëve si 20%. Kjo sipas politikologut Nuhiu mund të ndodh vetëm me vullnet politik.
“Janë të mundura ndryshimet nëse ka vullnet politik. Mirpo të gjitha ndryshimet nëse bëhen që do të përfshinin edhe këtë sferë, do të vlenin nga regjistrimi i ardhshëm. Nuk besoj se do të kishte ndikim tek rezultatet aktuale që janë produkt i regjistrimit të vitit të kaluar”, theksoi Nuhiu.
Nga regjistrimi i vitit 2021 shqiptarët rezidentë bashkë me jorezidentët rezultuan të jenë mbi 29% ndërkaq maqedonasit 54%. 12% nga numri total prej afër 2.1 milion banorëve është jorezidente. Por opozita vlerëson se në pasqyrën finale mungojnë 400 mijë qytetarë. Jorezidentët sipas tyre janë 30%, ndërkaq kontestojnë edhe imputimin e 132 mijë qytetarëve anonim për nga përkatësia etnike dhe feja.
MERAL ISMAILI
