Botë

Vazhdon agresioni ushtarak rus, Zelenski: Rusia po synon të gjithë Evropën

10.04.2022 16:44

Një varr masiv me dhjetëra trupa civilësh është gjetur në fshatin Buzova pranë Kievit...

Një varr masiv me dhjetëra trupa civilësh është gjetur në fshatin Buzova pranë Kievit, pasi forcat ruse u tërhoqën nga zonat në veri të kryeqytetit, bjnë të ditur zyrtarët e Ukrainës. Taras Didych, kreu i komunitetit Dmytrivka që përfshin Buzovën, tha se trupat u gjetën në një gropë pranë një stacioni karburanti.
 
Kombet e Bashkuara kanë qenë në gjendje të konfirmojnë më shumë se 1700 vdekje civile në Ukrainë. Por, numri aktual i të vdekurve besohet të jetë shumë më i lartë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se Rusia po synon të gjithë Evropën me agresionin e saj dhe se ndalimi i pushtimit të Ukrainës është thelbësor për sigurinë e të gjitha demokracive.   
                                                          
"Kur tirania ka filluar agresion kundër gjithçkaje që e mban paqen në Evropë patjetër të reagohet menjëherë. embargoja e naftës duhet të jetë hapi I parë në nivel të gjitha demokracive. Atëherë Rusia do ta ndjej atë, do të jetë argument për të kërkuar paqen dhe të ndërpresin dhunën e pakuptimt.  Kjo është arsyeja pse nuk është vetëm detyrë morale e të gjitha demokracive, të gjitha forcave të Evropës, të mbështesin dëshirën e Ukrainës për paqe", u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
 
Zelensky poashtu falënderoi liderët e Britanisë dhe Austrisë për vizitat e tyre të shtunën në Kiev, dhe premtimet për mbështetje të mëtejshme. Ai falënderoi gjithashtu presidentin e Komisionit Evropian dhe kryeministrin e Kanadasë për një ngjarje globale për mbledhjen e fondeve që solli më shumë se 10 miliardë euro për ukrainasit që kanë ikur nga shtëpitë e tyre. Ndërkohë Rusia ka tërhequr trupat e saj nga pjesa veriore e vendit, rreth Kievit, dhe është fokusuar në rajonet e Luhansk dhe Donjeck në lindje të njohura si Donbas.
 
Imazhet satelitore treguan një kolonë 13 kilometra me automjete ushtarake që u drejtuan në jug drejt rajonit të Donbasit përmes qytetit ukrainas Velykyi Burluk. Forcat ruse qëlluan me predha në rajonet Luhansk dhe Dnipro në orët e hershme të 10 prillit, duke goditur disa ndërtesa. 
 
Një shkollë dhe një ndërtesë shumëkatëshe u granatuan në qytetin Sievierodonetsk në rajonin e rrethuar të Luhansk. Guvernatori tha gjithashtu se banorët e Luhanskut do të kenë nëntë trena për të dalë nga rajoni ku, sipas zyrtarëve ukrainas, janë shtuar granatimet ditët e fundit. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI