Botë

Presidencialet në Francë, Macron shkon në balotazh me Le Pen

11.04.2022 09:49

Emmanuel Macron dhe Marine le Pen do të përballen në balotazh për të fituar postin e presidentit të Francës...

Emmanuel Macron dhe Marine le Pen do të përballen në balotazh për të fituar postin e presidentit të Francës. 

Në raundin e parë të zgjedhjeve, të mbyllur të dielën në mbrëmje, rezultatet paraprake nxorën fitues presidentin në detyrë me 28,1% të votave, ndërsa kundërshtarja e tij mori 23,3%. Në vend të tretë u rendit një kandidat i ekstremit të majtë, Jean-Luc Mélenchon, i cili arriti të mblidhte rreth 20% të votave.
 
Nëse Macron fiton në balotazh, rizgjedhja në post do të thyente “mallkimin” 20-vjeçar të skenës politike franceze. Presidenti i fundit francez që u rizgjodh për një mandta të dytë, ishte Jacques Chirac në vitin 2002.
 
Në garë dje morën pjesë 12 kandidatë, por duke qenë se asnjëri nuk mori më shumë se 50% të votave, dy kandidatët me më tepër vota do të përballen sërisht më 24 prill. Ky rezultat ishte i parashikueshëm, pasi asnjë kandidat nuk ka fituar kurrë më parë që në raundin e parë, me këtë sistem zgjedhjeje.