Botë
Moska nis ofensivën në Donbas
11.04.2022 12:53
Rusia ka nisur në Donbas ofensivën finale për marrjen e rajonit lindor të Ukrainës...

Rusia ka nisur në Donbas ofensivën finale për marrjen e rajonit lindor të Ukrainës pohoi Vadym Denysenko, këshilltar i ministrit të brendshëm ukrainas.
“Rusët janë duke grumbulluar forcat e tyre. Ende nuk kanë nisur betejat e mëdha për të cilat flitet prej ditësh, por në tërësi, mund të themi se faza e sulmit ka filluar”, është shprehur Denysenko i cituar nga CNN.
Pohimet e tij i mbështesin dhe bombardimet e ashpra gjatë natës në rajonin Dnjepër, dhe ato në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i vendit. Guvernatori i tij, Oleg Synegubov, thotë se në të këtë zonë janë regjistruar 65 sulme brenda 24 orësh, kryesisht me zjarr artilerie.
Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko bëri thirrje të mos ulet vigjilenca pas tërheqjes se trupave.
“Nuk përjashtohet mundësia që ata të kthehen e të tentojnë sërish pushtimin e kryeqytetit”, u shpreh ai duke mos përjashtuar një tentativë të ardhshme për marrjen e Kievit “në dy ditë”. Në fakt, deklaratat e liderit çeçen Ramzan Kadyrov përligjin shqetësimin e Klitchkos.
Kadyrov thotë se do të ketë një mësymje të re jo vetëm në Mariupol, por edhe në qytete e fshatra të tjera, e pasi të çlirojmë krejtësisht Luhanskun e Donjetskun, do të marrin Kievin. Duke cituar të dhëna të inteligjencës,Ministria britanike e mbrojtjes thotë se rusët kanë përdorur bomba me fosfor dhe mund ti përdorin sërish në qytetin e Mariupolit.
Pretendimet e saj vijnë në kohën kur ka dalë një dritë një tjetër varr masiv, këtë herë në afërsi të Burzovës.
