Maqedoni
Greva në shkolla dhe kopshte, Mickovski: Të pranohen kërkesat e SASHK-ut
11.04.2022 15:19
Lideri i VMRO – DPMNE – së Hristijan Mickovski ka kërkuar nga qeveria që të pranojë kërkesat e SASHK-ut...

Lideri i VMRO – DPMNE – së Hristijan Mickovski ka kërkuar nga qeveria që të pranojë kërkesat e SASHK-ut dhe urgjentisht të kthejë në procedurë parlamentare ligjin për rritje të pagave dhe nivelizimin e tyre. Kjo sipas Mickovskit është e vetmja zgjidhje që I mbetet qeverisë për dalje nga trysnia sociale, në të kundërtën do të shtohen trazirat sociale.
“Popullit i ka ardhur në maje të hundës nga politikanët e paaftë, nga politikanët të cilët kujdesen vetëm për buxhetin personal, ndërsa nuk kujdesën për standardin e punëtorit, të qytetarit. Dhe për këtë ndodhin këto trazira sociale. Nëse e dëgjonin këshillën e VMRO-DPMNE-së sot ne nuk do ta kishim këtë situatë. Por për fat të keq vendosën të sillen ashtu sikurse u sollën 4 vitet e kaluara.”, tha Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO–DPMNE–së.
Opozita shqiptare mbështet grevën në arsim
Aleanca për Shqiptarët është shprehur se mbështet mësimdhënësit. Nga Lëvizja Besa thonë se ekzekutivi duhet të bëjë përpjekje për t’i përmbushur kërkesat e SASHK-ut, ndërkaq bëjnë thirrje që mos t’u bëhet presion të punësuarve në sektorin e arsimit.
“Lëvizja BESA e mbështet grevën sepse pagat e të punësuarve në arsim janë nën dinjitetin e jetës profesionale. Apelojmë qeverinë që sa më parë t’u gjejë zgjidhje kërkesave të ofruara të SASHK-ut, sepse nga greva nuk përfiton askush, veçanërisht nxënësit.”, thuhet midis tjerash në reagimin e Lëvizjes Besa.
Edhe E Majta akuzon pushtetin se dëshiron që të ngulfasë grevën.
Shkrijel: VMRO mos të politizojë grevën
Nga LSDM kërkojnë të ndërpritet greva ndërkaq rritja e pagave të arrihet nëpërmjet dialogut. Bëjnë thirje VMRO –së të ndalojë me politizimin e grevës.
“VMRO opozitare gati një vit po bllokon ligjin për mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë profesionistë, i cili midis tjerash siguron edhe paga më të mëdha. Kërkojmë nga VMRO – DPMNE të ndërpresë me politizimin e grevës së SASHK – ut, kjo është në dëm të arsimtarëve dhe nxënësve. Jemi të bindur se zgjidhjet janë të mundura vetëm me dialog social në vend se me kushtëzime.”, tha Sanella Shkrijel, deputete e LSDM-së.
Sipas social demokratëve të ardhurat e mësimdhnësve dhe edukatoreve, tre vitet e kaluara janë rritur tre herë në mbi 21%. LSDM është e gatshme që edhe në vijim të dëgjojë kërkesat e kuadrit arsimor, por prioritet mbetet interesi I nxënësve që mos të humbasin mësimin.
MERALE ISMAILI
