ShBA shpalli “non grata” Gruevskin dhe Mijallkovin

11.04.2022 18:26

Departamenti Amerikan i Shtetit futi në listën e zezë ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, dhe ish shefin e Policisë Sekrete, Saso Mijalkov...

Departamenti Amerikan i Shtetit futi në listën e zezë ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, dhe ish shefin e Policisë Sekrete, Saso Mijalkov, në përgjigje të përfshirjes së tyre në korrupsion të madh. Departamenti i Shtetit tha se  veprimet e tyre minojnë sundimin e ligjit, institucionet demokratike dhe proceset publike dhe gërryejnë besimin e publikut në qeveri. 

Përveç Gruevskit dhe Mijalkovit, Departamenti i Shtetit ka futur gjithashtu në listën e zezë anëtarët e familjes së tyre të ngushtë, duke i bërë të gjithë të pakualifikuar për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq ish-kryeministri dhe aktualisht azilkërkues në Budapest, Nikolla Gruevski beson se qeveria aktuale ka lobuar në administratën amerikane në vendimin e sotëm që ai të futet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara. Ai shpreh keqardhje për vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Sipas tij, akuzat janë informacione të pasakta. 
 
Ka reaguar edhe Sasho Mijallkov, në profilin e tij të Facebook, pasi Departamenti Amerikan i Shtetit futi në listën e zezë atë dhe Nikolla Gruevskin. 
 
“Më vjen keq për vendimin e sotëm të Departamentit të Shtetit dhe mendoj se nuk është i drejtë. Vendimi bazohet në ndërtime dhe dezinformata që me kalimin e kohës do të rezultojnë të paqëndrueshme. Unë gjithmonë i kam mbrojtur dhe do t’i mbroj interesat e Maqedonisë. Besoj se drejtësia do të fitojë dhe vendimi i administratës amerikane do të korrigjohet”,- ka shkruar Mijallkov. 
 
Gruevski iku në Hungari në nëntor 2018, ku tani ka azil politik. Mijallkov u dënua me 12 vjet burg për përgjime masive dhe 8 vjet në shkallë të parë për rastin e blerjes së pajisjeve për përgjim.