Maqedoni

Spasovski: Rasti për vdekjen e Denis Tot u zbulua për 24 orë

12.04.2022 14:50

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka hedhur poshtë pretendimet për fshehje të dëshmive

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, ka hedhur poshtë pretendimet për fshehje të dëshmive në rastin e vrasjes së hendbollistit kroat, Denis Tot. Spasovski thotë se rasti është zbardhur brenda 24 orëve, pas çka janë dorëzuar edhe kallëzimet penale. 
 
“Menjëherë pasi kemi marrë informacionin, i cili nuk është marrë nga vendi i ngjarjes, për prishjen e rendit publik, për rrahje ose diçka të tillë, por është marrë nga Klinika Universitare në Shkup, ekipet tona janë drejtuar drejt Klinikës, ku edhe kanë filluar procedurat hetimore. Dua të përmend se në asnjë rast nuk jemi ndalur deri në momentin e zbardhjes së tërësishme të rastit dhe me lëshimin e padive. Dy persona e përfshirë në këtë rast janë arrestuar, ndërsa të tretin jemi duke e kërkuar dhe ndaj tij do të lëshohet edhe urdhër arrest ndërkombëtar. Me parashtresën e padive ky rast është zbardhur.”,- deklaroi ministri i MPB-së, Oliver Spasovski.
 
Spasovski po ashtu tha se Policia posedon video ku shihet në detaje zhvillimi i ngjarjes, ndërsa thotë se motiv për vrasjen mund të jetë mosmarrëveshjet personale mes vajzës dhe tashmë të ndjerit. Ministri i brendshëm njëherit i quajti të pabaza pohimet e opozitës të cilat dëshirojnë të tregojnë se MPB po heshtë për rastin në fjalë. 
 
VMRO-DPMNE: Prokuroria dhe MPB tentuan ta fshehin vrasjen
 
Por, VMRO-DPMNE ka kërkuar dorëheqjen e ministrit Spasovski, duke akuzuar atë se me ditë të tëra ai dhe MPB kanë heshtur për rastin në fjalë. 
 
“Çfarë ka bërë Prokuroria Publike dhe MPB me ditë të tëra dhe pse është dashur presion publik që e vërteta të dalë në pah? Prandaj Spasovski menjëherë duhet të japë dorëheqje, sepse çdo ditë të kaluar në krye të MPB-së, ai paraqet rrezik, dhe raste të tilla do të na ndodhin edhe në të ardhmen, e përsëri rastet e tilla do të tentojnë t’i fshehin. Është e papërshkueshme dhe rast makabër që Qeveria të tentojë të fshehë vrasjet.”,- u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov.
 
Videot ku shihet rrahja brutale e tanimë hendbollistit të ndjerë po qarkullojnë edhe në rrjetet sociale. Prokuroria Publike thotë se me postimin e videos nuk dëmtohet apo ndikohet në proces, por apelojnë për përmbajtje nga postimi i videove, të cilat mund të shqetësojnë opinionin dhe veçanërisht familjen e të ndjerit. Sipas pohimeve të institucioneve relevante, diskoteka “Privilegj” ku ka ndodhur zënka, nuk ka qenë e pajisur me leje për punë, prandaj ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, kërkoi reagimin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut. 
 
FITIM KRYEZIU