Maqedoni
“Aparati” gjyqësor, Sela: I politizuar në shërbim të BDI-së
12.04.2022 15:12
Sistemi i drejtësisë është në shërbim të plotë të BDI-së dhe kundër interesit të shtetit dhe qytetarëve...

Sistemi i drejtësisë është në shërbim të plotë të BDI-së dhe kundër interesit të shtetit dhe qytetarëve, thotë kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, sipas të cilit deklarimet e integristëve për veting në gjyqësor janë vetëm propagandë. Sipas Selës, kapësit e gjyqësorit kanë emër dhe mbiemër, duke përmendur ish-ministrat apo zëvendësministrat si Blerim Bexheti, Adnan Jashari, Valdet Xhaferi, Bilent Salihi dhe Agim Nuhiu dhe më pas partizimi për t’u shtrirë në këshillin gjyqësor me Selim Ademin për të kontrolluar katër gjykatës në gjykata të vendit. BDI, sipas Selës, ka instaluar njerëzit e vetë nga gjykatat themelore deri tek supremja.
“Në secilin institucion gjyqësor mjafton një thirrje nga Reçica e Vogël që të ndalen apo sabotohen ndjekjet penale sa herë preket interesi i BDI–së. Metodat e gjyqësorit të kapur tanimë janë të njohura, ato fillojnë qysh në fazën fillestare të hetimeve, duke anashkaluar sistemin elektronik për shpërndarje të rastësishme të rasteve, pra këta kujdesen që rasti ku preken interesat e tyre të shkojë në tavolinën e prokurorëve dhe gjykatësve të tyre, që pastaj të njëjtit të sabotojnë rastet përmes marifeteve, siç janë: mospërmbushja e afateve për të filluar shqyrtimi pas dorëzimit të aktakuzës, stërzgjatja e procedurave për të parashkruar rastet, rifillimi i gjykimeve nga fillimi.”,- tha kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
Sela thotë se situata e ngjashme është edhe në prokurorinë publike, ku tre nga katër prokurorët shqiptarë janë njerëz të BDI-së, sikurse Ismail Dardhishta - ish ministër i drejtësisë, Xhelal Bajrami - ish zëvendësministër për punë të brendshme, Bashkim Besimi - familjar i Fatmir Besimit. Kreu i ASH-së thotë se prokuroria e lartë por edhe ajo themelore, është e stërmbushur me prokurorë të korruptuar.
“Arsim Ademi në Gostivar - ish anëtar i BDI–së, ndaj të cilit Komisioni Anti-korrupsion ka hapur lëndë dhe i cili është shquar për rikualifikimin e lëndës ku Kiçeec ka vrarë qytetarë me veturë si pakujdesi trafiku. Burim Iseni në Gostivar - ish anëtar i BDI-së, Ahmed Amedi në Gostivar - ish drejtor i Entit për Punë në Kërçovë, ka hedhur poshtë lëndët e Nevzat Bejtës të ngritura nga Rufi Osmani, Rasim Ndrecaj në Shkup, prokuror i afërt me BDI-në që po mbron “Durmo tursin” në rastin Llaskarcë, Edmond Neziri në Shkup - prokuror i afërt me BDI–në që po mbron Ali Ahmetin dhe Musa Xhaferin në rastin e “Maxhar Telekom”.”,- u shpreh kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
Akademia për gjykatës dhe prokurorë si dhe avokati i popullit në krye me Naser Zyberin, gjithashtu janë të politizuara. Sela kërkoi përkrahje urgjente europiane për shtetin e së drejtës, nëpërmjet këshillimit, monitorimit dhe hetimin profesional të proceseve gjyqësore, të krimit të lartë dhe rishikim të rasteve të montuara, ndërkaq vetingu të kryhet nga një organ i pavarur sipas standardeve europiane.
MERAL ISMAILI
