Qeveria miratoi heqjen e maskave në ambiente të mbyllura

12.04.2022 15:21

Qeveria ka pranuar rekomandimin e Komisionit për Sëmundje Infektive....

Qeveria ka pranuar rekomandimin e Komisionit për Sëmundje Infektive për heqjen e maskave në ambiente të mbyllura, duke përfshirë edhe shkollat e mesme. Po ashtu shfuqizohet ndalesa për organizimin e ekskursioneve dhe mësimit në natyrë për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.

Mbajtja e obligueshme e maskave mbetet në fuqi në shtëpitë e shëndetit, barnatoret, në transportin publik dhe institucionet për kujdesin e të moshuarve.

Epidemiologu Ollumçev thotë se duhet të fillojmë të jetojmë normalisht, sipas të cilit edhe nëse rritet numri i infektimeve simptomat e të infektuarve do të jenë të lehta, ndërsa do të rritet imuniteti.

Sipas Ollumçevit, vera do të jetë e qetë sa i përket virusit Korona.

“A do të rritet në vjeshtë numri kjo mbetet të shihet nëse do të paraqitet lloj i ri, apo do të mbetet Omikroni. Nëse mbetet Omikroni, atëherë ai do të jetë lloj endemik që do të qarkullojë me viruset tjera respiratore. Ka paralajmërime për përgatitjen e vaksinës polivalente, austriakët kanë paralajmëruar diçka të tillë që do të ishte një armë e mirë kundër Kovid-19.”,- tha epidemiologu, Sasho Ollumçev.

Covid-19, në vend aktualisht 1.111 raste aktive

Për stabilizimin e gjendjes me pandeminë flasin edhe raportet e Ministrisë së Shëndetësisë. Aktualisht në vend është ulur në njëmijë e 111 numri i rasteve aktive me Kovid-19.

Në raportin e 24 orëve të fundit Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga 2.290 të testuar, janë regjistruar edhe 150 raste të reja me Kovid-19, prej të cilëve 27 janë riinfektime.

Po ashtu në 24 orët e fundit njoftohet edhe për 246 pacientët e shëruar dhe një të vdekur.

Nga “Termini im” njoftohet edhe për 3 të vdekur prej 12 deri më 17 mars. Në trajtim spitalor aktualisht ndodhen edhe 63 pacientë që shënon ulje për 11,3% në krahasim me një javë më parë.

Siç bën të ditur Instituti i Shëndetit Publik, në periudhën prej 4 deri më 10 prill është ulur për 31% numri i të infektuarve, respektivisht nga 14.434 të testuar janë regjistruar 1.106 raste pozitive.

Në periudhën e njëjtë janë regjistruar 10 vdekje, apo 23,1% më pak se një javë më parë. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)