Maqedoni
Pendarovski: Logjike Shqipëria të kërkojë të ecë vetë
12.04.2022 15:37
Nëse edhe më tej Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar nga Bullgaria...

Nëse edhe më tej Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar nga Bullgaria, është logjike që Shqipëria të kërkojë debllokim në rrugën e eurointegrimit. Kështu ka deklaruar presidenti, Stevo Pendarovski, nga Podgorica, ku po qëndron për vizitë zyrtare. Ndonëse ndarja, sipas tij, nuk do të ketë implikime për sigurinë, ai megjithatë apeloi që BE të trajtojë projekt gjeopolitik.
“Është logjike nëse vazhdojmë të jemi të bllokuar nga Bullgaria që vendet e tjera kandidate nuk do të duan ta lidhin fatin e tyre në rrugën e integrimit evropian me askënd tjetër, duke na përfshirë edhe ne. Nuk shoh asgjë të diskutueshme në deklaratën e zotit Rama, thjesht do të doja t'u bëj thirrje në këtë situatë atyre që vendosin në Bruksel dhe në kryeqytetet evropiane që përveç faktit që kjo ndarje eventuale nuk do të ketë asnjë implikim sigurie, duhet të mendojnë mbi zhvillimet e fundit në Ukrainë se BE-ja e ka nisur dhe BE-ja edhe sot duhet trajtuar ndër të tjera si një projekt gjeopolitik.”,- tha presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski.
Gjukanoviq: Besoj se debllokimi do të ndodhë deri në qershor
Pendarovski dhe Gjukanoviq gjatë takimit, ndër të tjera, kanë biseduar për zhvillimet aktuale në rajon dhe më gjerë. Ndërkohë, Gjukanoviq shprehu keqardhjen që Maqedonia e Veriut po përballet me një tjetër pengesë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Gjithashtu biseduam për situatën aktuale në rajon dhe ramë dakord që në dritën e luftës në Ukrainë, gjendja po merr tjetër dinamikë. Sot, kur jemi dëshmitarë të krimeve të tmerrshme të shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës, ne besojmë se kjo duhet të nënkuptojë një pikë kthese në marrëdhëniet midis BE-së dhe rajonit.”,- u shpreh Pendarovski.
“Shpresoj se zgjedhjet e fundit në Bullgari megjithatë hapën një perspektivë për një marrëveshje dhe një perspektivë të qartë për Maqedoninë e Veriut. Mali i Zi gjithmonë hapur është angazhuar që hapi i parë në intensifikimin e agjendës evropiane për Ballkanin Perëndimor të jetë pa vonesë fillimi i negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ne besojmë se kjo mund të ndodhë tashmë gjatë Presidencës Franceze të BE-së dhe Mali i Zi beson se do të jetë një kontribut i madh në perspektivën e përgjithshme evropiane të Ballkanit Perëndimor.”,- theksoi presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.
Gjukanoviq shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e deritanishëm dypalësh, ndonëse sipas tij ka kapacitete serioze për avancimin e tyre, veçanërisht në fushën e ekonomisë.
NAIM RAMADANI
