Kuvend, debat politik për rritjen e pagave dhe grevën

12.04.2022 16:05

Greva në arsim dhe administratë dhe pakënaqësitë që nxiti....

Greva në arsim dhe administratë dhe pakënaqësitë që nxiti rritja e pjesshme e pagës minimale thelloi debatin mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës.

Gjatë diskutimit të propozim-ligjit për ndryshimin e Ligjit për nëpunës administrativë, i cili ka për qëllim harmonizimin e pagave të grupit G në administratë me pagën minimale, opozita akuzoi pushtetin se me zgjidhje të pjesshme ka krijuar kaos dhe nxit grevat.

“Nënkuptohet Ligji për nëpunës administrativë që është propozim i qeverisë, prek vetëm grupin G të nëpunësve administrativë, të cilët duhet të harmonizohen me Ligjin për pagën minimale të cilin edhe ne e kemi përkrahur dhe nënkuptohet grupet tjera të nëpunësve konform Ligjit për nëpunës administrativë, mbeten të paprekura, apo rrogat e tyre rriten për 100-200 denarë, që është qesharake.”,- tha deputeti i L. BESA, Fadil Zendeli.

“Një hap do të ishte i thjeshtë dhe i pranuar nga të gjithë, nëse kishte harmonizim të marrëveshjeve kolektive me pagën minimale. Kështu s’do të kishte nevojë të diskutojmë nëse duhet të rrisim pagën e punëtorëve administrativë, në arsim, në shëndetësi ose në ndonjë sektor tjetër.”,- theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Igor Zdravkovski.

Ndërkaq, deputetët e LSDM-së akuzuan opozitën se po pengon miratimin e Ligjit për arsimtarë dhe bashkëpunëtorë profesionistë, ku sipas pushtetit parashihet rritja e pagave në arsim.

“Ne parapamë rritje pagash në arsim para një viti. Ne e dhamë Ligjin për arsimtarë dhe bashkëpunëtorë profesionistë që Ju koleg i nderuar e pengoni, madje edhe me sjellje të dhunshme në Komisionin për Arsim, Shkencë dhe Sport, dhe nuk lejoni që të shohë dritën e diellit. Aty parashihet përllogaritja e pagës me koeficientin e rritjes së pagës minimale.”,- u shpreh deputetja e  LSDM-së, Zhaklina Llazarevska.

Teksti i propozim-ligjit për ndryshimin e Ligjit për nëpunës administrativë vazhdoi procedurën parlamentare pa asnjë ndryshim, pasi Komisioni amë nuk pranoi as amendamentin për rritje lineare të pagës për të gjithë nëpunësit administrativë. (Shpëtim Nuredini, TVM2)