Maqedoni
Vijon greva në sektorin e arsimit, mësimi nuk zhvillohet, mungojnë edhe nxënësit
12.04.2022 16:21
Dita e dytë e grevës gjenerale në arsim....

Dita e dytë e grevës gjenerale në arsim. Objektivi i kamerës sonë hasi në klasa të zbrazëta meqë nxënës nuk kishte në shkolla. Arsimtarët ishin në vendin e tyre të punës, por nuk kryenin obligimin për realizimin e procesit mësimor. Përfaqësuesi i SAShK-ut për rajonin e Çairit, Butelit dhe Çuçersandevës, Zenafer Bajmak, potencoi se arsimtarët janë decid greva do të vazhdojë deri sa të plotësohen kërkesat tyre për rritjen e pagave në sferën e arsimit.
“Arsimtarët janë në grevë, nxënësit nuk kanë ardhur në shkollë edhe pse kanë të drejtë të vijnë në shkollë. E drejta jonë është të zhvillojmë grevën, nuk ka presione në shkollat fillore dhe të mesme. Vazhdojmë me një atmosferë të qetë, pa probleme. Kemi disa vërejtje që vijnë nga çerdhet dhe të njëjta do t’i shqyrtojmë.”,- deklaroi përfaqësuesi i SAShK-ut për rajonin e Çairit, Butelit dhe Çuçersandevës, Zenafer Bajmak.
“Edhe sot jemi në të njëjtin pozicion, profesorët që grevojnë janë në vendet e tyre të punës, duke filluar prej orës 8 deri në 12 siç është dhënë paralajmërimi dhe deri tani nuk ka nxënës që kanë shprehur dëshirë të vijnë në shkollë.”,- tha drejtori në Sh. M. “Cvetan Dimov”, Visar Durak.
Edhe qytetarët që anketuam mbështesin kërkesën e arsimtarëve për rritjen e pagave.
“Pa dyshim, duhet, sepse ata punojnë me fëmijë, kanë angazhime të mëdha, ju e shihni vet se çmimet janë duke u rritur pa ndaluar, patjetër të rriten rrogat.”,- theksoi një qytetar.
“Të punohet me nxënës është shumë vështirë, modernizimi, nxënësit janë shumë të lazdruar për shkak të kësaj profesorët, arsimtarët duhet t’u jepet rroga dhe të kenë kujdes ndaj arsimit.”,- u shpreh një qytetar.
Nga Qeveria me reagim se pagat në arsim në periudhën prej 2017 deri më 2022 janë rritur për 21 për qind.
Me rritjet e fundit arsimtarët në shkolla fillore paguhen 24.786 denarë për dallim prej 2016-tës kur paga e tyre ka qenë 21.521 denarë. Qeveria është e hapur për dialog, i cili nuk do të jetë i kushtëzuar me grevë dhe pakënaqësi. Bashkërisht të gjejmë një model, i cili do të ketë të bëjë me rritjen e pagës minimale dhe shpenzimeve për jetesë.”,- u tha nga Qeveria.
Edhe MPPS bëri të ditur se në 50 çerdhe në vend grevojnë vetëm 50 për qind prej të punësuarve. Çerdhet përkujdesen për fëmijët dhe sot është shënuar rritje e fëmijëve që shkojnë në çerdhe. Nga SAShK thonë se presim takim me MASh për rritjen e pagave. Kërkesat e tyre kanë të bëjnë me rritjen e pagave për 18. 4 për qind në sferën e arsimit.
FLUTURA LATIFI
