Maqedoni
Rrugëtimi i RMV-së dhe Shqipërisë në BE, Hollshtajn: Duhet të ecin paralel
12.04.2022 16:42
Samiti i qershorit duhet të rezultojë me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë...

Samiti i qershorit duhet të rezultojë me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, thekson ambasadorja gjermane, Anke Hollshtjan. Ajo përkujton se kjo kërkesë është parashtruar edhe nga ana e ministres së jashtme gjermane, Analena Berbok, në takimin e fundit të ministrave të BE-së në Luksemburg. Potencoi se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhen të ecin krah për krah drejt BE-së.
“Ministrja ime në margjina të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së theksoi rëndësinë e mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare me RMV-në dhe Shqipërinë. Është me rëndësi për ne që procesi aderues të jetë i përbashkët për të dyja shtetet. Për ne është me rëndësi fakti se politika e zgjerimit tashmë si kurrë më parë është shndërruar në politikë të sigurisë.”,- tha ambasadorja e Gjermanisë, Anke Hollshtajn.
Kontesti me Bullgarinë, Hollshtajn: Jashtë kornizës për bisedime me BE-në
Duke folur për përmbajtjen e kornizës negociuese, Hollshtajn tha se dokumenti i referohet negociatave me BE-në dhe nuk mund të përfshijë aspekte tjera jashtë procesit eurointegrues, siç mund të jenë problemet ndër-shtetërore.
“Sa i përket kornizës negociuese dhe asaj se çka mund të përfshihet në të, ekzistojnë kufij. Përjashtohet të ketë një rast të tillë të precedentit që do të kishte pasoja për hapat e mëtejshëm të zgjerimit. Në parim, çështjet dypalëshe nuk i përkasin kornizës negociuese. Në interes të gjetjes së një zgjidhjeje do të bëhet ndonjë përpjekje për shterim të mundësive, por megjithatë nuk duhet të cenohet integriteti i kornizës negociuese.”,- theksoi ambasadorja Hollshtajn.
Hapjen e fillimit të bisedimeve me RMV-në dhe Shqipërinë në gjysmën e këtij viti, e kanë kërkuar shumica e ministrave të jashtëm të BE-së në takimet e fundit të tyre. Theksojnë se Ballkanin Perëndimor rrezikohet të shndërrohet në skenar të krizave të mëdha, për shkak të implikimeve ruse, ndërkaq kërkojnë nga Bashkimi Evropian të parandalojë me kohë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
