Maqedoni
Sindikatat: Të rriten të gjitha pagat për 2800 denarë
12.04.2022 18:11
Sindikata Progresive e Arsimit pranë Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë konsideron se për momentin rritja lineare...

Sindikata Progresive e Arsimit pranë Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë konsideron se për momentin rritja lineare e pagave në sektorin publik prej të paktën 2.800 denarë është zgjidhja më e qëndrueshme.
Ata kërkojnë në Ligjin për mësimdhënësit dhe bashkëpunëtorët profesionalë të rregullohet kjo rritje e ardhshme të pagave në arsim, në përqindje, sipas rritjes së pagës minimale, të zgjidhet statusi i të punësuarve pa vendime pune dhe të gjitha punësimet e ardhshme të bëhen kryekëput me vendime. Përndryshe nuk përjashtojnë mundësinë që më 1 maj të organizojnë protesta.
“Nëse SAShK-u e mbështet këtë kërkesë ne do t’i bashkëngjitemi zyrtarisht grevës, ndërsa kuptohet që LSM kumtoi se i vë në dispozicion kapacitet e saj në drejtim të zbatimit të aktiviteteve të cilat i ndërmarrin sindikatat për rritjen e pagave prej të paktën 2.800 denarë në vlerë neto për të gjithë të punësuarit, përfshirë edhe punonjësit arsimorë.”,- theksohet në kumtesën e sotme të Sindikatës progresive të Arsimit.
Edhe përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur për Librat Amë dhe Konfederata e Sindikatave kërkojnë harmonizim dhe rritja urgjente e pagave të tyre, përndryshe edhe ata paralajmërojnë grevë më 27 prill.
“Në afat 15 ditor presim përgjigje pozitive nga Drejtoria e Librave amë, përkundrazi Sindikata e Pavarur e Drejtorisë për Libra Amë më 27.04 do të fillojë grevën e radhës.”,- theksoi kryetari i Sindikatës së Pavarur të Drejtorisë së Librave Amë, Toni Miloshovski.
“Akoma ka të punësuar që marrim rrogat nën pagesë minimale. Për fat të keq edhe pagën e muajit mars ka të punësuar që e morën pagat e tyre në vlerë prej 14.700 denarë. Akoma pagat nuk janë harmonizuar, andaj apelojmë që të gjinden zgjidhje se përndryshe dalim në grevë.”,- u shpreh kryetari i Konfederatës së Sindikatave të RMV-së, Marijan Risteski.
Rritje lineare të pagave pas rritjes së pagës minimale kanë kërkuar edhe nga Lidhja e Sindikatave, nga e cila kanë paralajmëruar edhe protesta më një maj, duke mos e përjashtuar mundësinë për grevë të përgjithshme nëse nuk pranohet kërkesa për rritjen e të gjitha pagave për 2800 denarë.
REXHEP QAMILI
