Maqedoni
Fjalët përfundimtare për "Parcelat në Vodno" Stefanova kërkon dënim të lartë për Gruevskin
12.04.2022 18:30
Prokurorja publike, Lile Stefanova, në fjalët e saj përfundimtare ka kërkuar dënimin...

Prokurorja publike, Lile Stefanova, në fjalët e saj përfundimtare ka kërkuar dënimin më të lart për ish kryeministrin, Nikolla Gruevski, në rastin "Parcelat në Vodno". Tha se ish kryeministri e ka shfrytëzuar funksionin e tij që ta fshehë pronën, ndërsa për të i kanë ndihmuar edhe të akuzuarit e tjerë.
Për ish shefin e DSK-së, Sasho Mijallkov, sipas prokurores, edhe pse ka mohuar të jetë i përfshirë në rastin, ekzistojnë dëshmi për faj. E ka ditur se prona blihet për Gruevskin edhe atë me mjetë të siguruara në mënyrë joligjore.
“Parashtrohet pyetja: ku Nikolla Gruevski gjeti mjete mbi 1 milion e 300 mijë euro që të paguajë këtë tokë? Prokuroria dëshmoi se i akuzuari, Nikolla Gruevski, si kryetar i partisë politike VMRO-DPMNE, nga paratë që i janë besuar lidhur me këtë funksion, e të cilat janë pranuar si donacion, ka blerë këtë patundshmëri.”,- u shpreh prokurorja publike, Lile Stefanova.
Mbrojtja e ish kryeministrit Gruevski në fjalët e tij përfundimtare kërkoi lirimin e tij, pasi që, siç tha, dëshmitarët nuk e kanë thënë të vërtetën, ndërsa prokuroria ka dëshmi paushall.
“Për këto prona dorëzuam vërtetim për historinë e ndryshimeve në kadastër, ku qartë shihet se asnjëherë si pronarë nuk është shkruar emri i të akuzuarit, Nikolla Gruevski. Kjo është dëshmi, nuk është supozim.”,- tha Petar Timovski - avokat i Gruevskit sipas detyrës zyrtare.
Për Nenad Josifoviq dhe për Orce Kamçevin, Stefanova kërkoi dënime minimale të parapara me ligj, ndërsa për Risto Novaçevskin dënim me kusht. Për nënën e Orce Kamçevit, Ratka Kamçeva, aktakuza është tërhequr për shkak të vjetërsimit të ndjekjes penale.
Stefanova kërkoi nga gjykata që të konfiskojë e gjithë pronën e ngrirë në procedurë. Prokuroria thekson se me para të donacioneve të VMRO-DPMNE-së është blerë tokë në Vodno, ndërsa skema është realizuar përmes kompanive Ofshor, ndërsa pronari i vërtetë i pronës është ish kryeministri, Nikolla Gruevski.
FLORIJE BELULI KAMBERI
