Botë

OKB e shqetësuar, raportohet se u përdorën armë kimike në Mariupol

13.04.2022 11:17

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për mbikëqyrjen e armëve kimike është shprehur “e shqetësuar”....

Agjencia e Kombeve të Bashkuara për mbikëqyrjen e armëve kimike është shprehur “e shqetësuar” lidhur me raportimet e pakonfirmuara të përdorimit të armëve kimike në qytetin-port ukrainas të Mariupolit.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike tha se po monitoron nga afër situatën. “Sekretariati teknik i agjencisë është i shqetësuar nga raportimet e fundit të pakonfirmuara të përdorimit të armëve kimike në Mariupol, që janë publikuar në media në 24 orët e fundit”.
 
Edhe anëtarë të Kongresit amerikan, që gjithashtu janë duke e monitoruar situatën, thanë gjatë një vizite në Poloni se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët nuk do të qëndrojnë duarkryq nëse përdoren armë kimike në Ukrainë. Ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se Uashingtoni kishte “informacione të besueshme” se forcat ruse mund të përdorin një sërë agjentësh për kontrollin e trazirave, përfshirë gaz lotsjellës të përzier me agjentë kimikë. Përdorimi i agjentëve të tillë do të shkaktonte simptoma që do të kishin për synim të dobësonin ose paaftësonin luftëtarët apo civilët ukrainas në Mariupol.
 
“Ne e kemi ndarë këtë informacion me Ukrainën dhe partnerët e tjerë. Dhe ne jemi në bisedime direkte me partnerët për të tentuar që të përcaktojmë se çfarë realisht ka ndodhur.”, tha Blinken.