Botë

Biden: Putin kreu gjenocid në Ukrainë, është një diktator

13.04.2022 11:43

Për herë të parë, presidenti amerikan, Joe Biden, akuzoi liderin rus, Vladimir Putin, për gjenocid në Ukrainë...

Për herë të parë, presidenti amerikan, Joe Biden, akuzoi liderin rus, Vladimir Putin, për gjenocid në Ukrainë, duke e përkufizuar atë një diktator. Administrata e SHBA-së kishte artikuluar akuza për krime lufte ndaj Moskës, por deri më tani nuk kishte shkuar aq larg sa të fliste për gjenocid.

 
“E quajta gjenocid, pasi po bëhet gjithmonë e më e qartë se Putin po përpiqet të eliminojë idenë e të qenit ukrainas dhe provat po shtohen. Buxheti i familjes suaj, mundësia për të mbushur serbatorin, asnjë prej këtyre nuk duhet të varet nga fakti se një diktator shpall luftë dhe kryen genocid gjysmë bote larg.”,- tha presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.
 
Macron shmang termin gjenocid: Situata është e papranueshme, janë krime lufte
 
Më i kujdesshëm në komente ishte presidenti francez, Emmanuel Macron. Në një intervistë për “France 2”, ai tha se duhej treguar kujdes me termat për të mos përshkallëzuar situatën. 
 
“Unë jam shumë i kujdesshëm me disa terma këto ditë. Populli ukrainas dhe populli rus, ata janë një komb, janë vëllezër. Kjo që po ndodh tani, është brutale e pabesueshme. Por, nuk jam i sigurt se përshkallëzimi i fjalëve po e ndihmon kauzën. Ka një gjë që mund të thuhet me siguri: situata është e papranueshme dhe këto janë krime lufte. Ne jetojmë në këtë skenar: fakte lufte, krime lufte që janë të paprecedentë.”,- theksoi presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
 
Kievi zyrtar këmbëngul se vrasjet e civilëve në Bucha janë si gjenocid dhe thonë se varre masive po zbulohen çdo ditë në Ukrainë.

GAZMEND REXHEPI