Maqedoni

Rrahja për vdekje e Denis Tot, vetdorëzohet në polici Angjello Gjeorgjievski

13.04.2022 13:51

Hetimi rreth rrahjes për vdekje të hendbollistit kroat, Denis Tot, po merr epilog...

Hetimi rreth rrahjes për vdekje të hendbollistit kroat, Denis Tot, po merr epilog. Në polici u vetdorëzua edhe i dyshuari i parë, Angjello Gjeorgjievski, ndaj të cilit MPB kishte shpallur fletëarrest. Ai menjëherë është dërguar në burgun e Shutkës, ku i është bashkuar dy të arrestuarve të tjerë.
 
“Personi në fjalë rreth orës 1:20 të mëngjesit i është dorëzuar njësive për kërkim dhe menjëherë është dërguar në burgun e Shutkës në vuajtje në dënimit.”,- tha zëdhënësi i MPB-së, Toni Angelovski.
 
VMRO-DPMNE: E këshilluan të dorëzohet, MPB s’donte ta kapte
 
Gjeorgjievski ishte i pakapshëm për organet e rendit për plot 6 ditë, e këtë vonesë e ka shfrytëzuar edhe njëherë VMRO-DPMNE, të cilët akuzojnë ministrin e brendshëm për mos-reagim. 
 
“Plot 6 ditë vrasësi ishte në arrati, e sot, pas presionit publik, ai kapet. Spasovski nuk arriti ta kapë vrasësin, sepse nuk kishte vullnet që ai të kapet. Spasovski po ashtu duhet të japë përgjigje se në vendin e ngjarjes a është e vërtetë se kishte edhe zyrtarë policë.”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov.
 
Procedurat spitalore, Sali: Po pat nevojë, do ngremë komision të veçantë
 
Procesi i hetimit për vrasjen e hendbollistit hapi dilemën edhe për reagimin e personelit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar mbikëqyrje të jashtëzakonshme të inspektoratit.
 
“Jemi në pritje të raportit nga Mjekësia Ligjore dhe pasi të kompletohen të gjitha dokumentet, do të formohet komision i veçantë nëse ka nevojë, apo ka ndonjë dyshim. Nuk dua tani ta dëmtoj procesin me deklarata. Por, atë të cilën e kam hetuar në shikim të parë, tregon se institucionet mjekësore kanë kryer detyrimet e veta.”,- theksoi ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.
 
Prokuroria akuzon tre persona për vrasjen e hendbollistit para diskotekës “Prestizh” në Qendër të Shkupit, të cilin kanë vazhduar ta godasin edhe pasi e kishin shtrirë përtokë. Po hetohen se si erdhi deri te rrahja brutale. 

FITIM KRYEZIU