Maqedoni

Korrupsioni në institucione, Bajrami: Hetojmë mijëra raste, por jemi të limituar

13.04.2022 14:18

Gjendja me korrupsionin është alarmante. Në Komisionin Anti-korrupsion hetohen me mijëra raste...

Gjendja me korrupsionin është alarmante. Në Komisionin Anti-korrupsion hetohen me mijëra raste, thotë anëtari i KSHPK-së, Nuri Bajrami, në “Argument” në TVM2. Por, ai thekson se teksa politika nuk angazhohet seriozisht dhe kompetencat e Anti-korrupsionit janë të limituara, nuk mund të sigurojnë epilog përfundimtar për shumë raste. 
 
“Nuk ka mobilizim konstruktiv as nga pozita as nga opozita për një luftë të mirëfilltë kundër korrupsionit. Për arsye se ata që kanë qenë në pushtet, thjesht nuk distancohen nga gabimet e strukturave të veta. Këta që janë tani,  mbrohen si zakonisht se janë duke punuar mirë, ndërsa ne me punën që e bëjmë kemi detektuar mjaft dobësi. Qoftë në nivel qendror, qoftë në nivel lokal. Tek ne politika është gjithkund, qoftë në mënyrë ligjore, qoftë në mënyrë faktike duke keqpërdorur ligjet.”,- tha anëtari i KSHPK-së, Nuri Bajrami.
 
Sistemi i drejtësisë, Memedi: Tërësisht i kapur nga pushteti
 
Nënkryetari i ASH-së, Remzi Mehmedi, thotë se fakti që këto raste nuk marrin epilog përfundimtar, dëshmon që sistemi i drejtësisë është i kapur nga partitë në pushtet. 
 
“Kemi rastin me Prokurorinë Speciale, rastin e Boki 13, e me dhjetëra raste tjera, të cilat ende ose nuk kanë epilog gjyqësor, ose kanë marrë epilog gjyqësor qesharak, ose gjatë procesit të një procedure gjyqësore kanë ndodhur gjëra që jo vetëm që kanë luftuar korrupsionin, por përkundrazi kanë dëshmuar për korrupsion masiv, kur individ i caktuar ka mundësi të japë 11 milion euro për t’u mbrojtur në liri.”,- tha nënkryetari i ASh-së, Remzi Mehmedi.
 
Sipas opozitës, gjithçka në vend është e partizuar, madje edhe policia harron detyrën e saj e vihet në shërbim të politikës.
 
“Në vend që polici, sigurisht që jo të gjithë, në vend që të jetë ai që do ta mbrojë procedure komplet të kampanjës, të ditës së zgjedhjeve, të pasojave post zgjedhore ti e sheh me uniformë në maje të shtyllës elektrike duke e ngjitur posterin e partisë në pushtet dhe kjo na ndodh çdo ditë.”,- u shpreh nënkryetari i ASh-së, Remzi Mehmedi.
 
Panelistët theksuan se strategjia për luftë ndaj korrupsionit, e cila u miratua vitin e kaluar në Kuvend, nuk po jep rezultatet e pritura. 

ERSAN PAJAZITI