Rasti “Tot” dhe rasti “Sazdovski”, dy rrahje me pasojë vdekje, vepra penale ndryshe
Për të sqaruar dilemat e publikut se pse rasti i hendbollistit kroat....

Për të sqaruar dilemat e publikut se pse rasti i hendbollistit kroat dhe rasti i Nikolla Sazdovskit kanë ngjashmëri, por dallojnë sa i përket kualifikimit të veprës penale, për TVM2 përgjigjet shefi i Prokurorisë Themelore në Shkup, Gavrill Bubevski.
Ai thekson se hetimi akoma nuk ka përfunduar dhe kualifikimi i lëndës mundet të ndryshojë.
"Presim rezultatet e autopsisë dhe në bazë të tyre mund të rikualifikohet lënda por edhe në bazë të dëshmitarëve që do të dëgjohen gjatë hetimit. Nga videoja e publikuar nuk mund të vërtetohet se bëhet fjalë për vrasje mizore, nevojitet edhe dëshmi të tjera… Sa i përket rastit “Sazdovski”, ju them se unë në atë periudhë nuk kam qenë në prokurori dhe nuk i njoh mirë rrethanat.",- tha shefi i Prokurorisë Themelore – Shkup, Gavrill Bubevski.
Alispahiq: Drejtësia të jetë njësoj për të gjithë
Vepra për të cilën u ngarkuan tre të akuzuarit për vrasjen e Sazdovksit ishte "vrasje mizore”, vepër për të cilën në bazë të Kodit parashihet dënim me burg prej 10 deri në burg të përjetshëm, ndërkaq në rastin e fundit me vrasjen e hendbollistit kroat, kualifikimi aktual që ka vepra është "vrasje", ku dënimi më i ulët është 5 vjet burg. Këto dy vepra, sipas avokatit mbrojtës në rastin “Sazdovski”, Asmir Alipahiq, dallojnë shumë njëra me tjetrën, teksa ai sheh ngjashmëri të madhe mes të dyja rasteve.
“Mendoj se në situatën konkrete, sinqerisht duhet të barazohet praktika dhe aplikimi i duhur i së drejtës materiale në drejtim të rasteve të ngjashme apo të njëjta, siç bëhet fjalë në këtë rast. E gjithë kjo më qëllim të mos ketë interpretime të ndryshme nga publiku i cili është i shqetësuar për këto raste.”,- theksoi avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.
Në inçizimin e publikuar për sulmin dhe vrasjen e hendbollistit Tot, ku shihet se si të dyshuarit e kanë sulmuar hendbollistin dhe kanë vazhduar veprimin edhe përderisa ai ka qëndruar i shtrirë në tokë. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
