Maqedoni
Morën ryshfet, kamera xhiroi policët, MPB: Shefi në arrest, po hetohen të gjithë të tjerët
13.04.2022 16:18
Një hetim nga gazetarët e emisionit investigativ STOP në TV Klan çoi në arrestimin e shefit të policisë kufitar në Bllacë...

Një hetim nga gazetarët e emisionit investigativ STOP në TV Klan çoi në arrestimin e shefit të policisë kufitar në Bllacë për marrje ryshfeti. Gjithçka nisi pas ankesës së një transportuesi se për të hyrë në RMV në vendkalimin kufitar në Han të Elezit policët gjithmonë i kërkojnë para. Para kamerës së fshehtë, jo vetëm u kërkuan paratë por policët madje hynë edhe në pazar për çmimin e ryshfetit.
- Në total sa? Jepja 120 euro, a po na fal një?
- Jo nuk është duke ta falur një, por 2. Se me qenë unë kurrë nuk të kisha liruar me 20 euro, po hajde meqë e ka shkruar ky.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë që nga marrja e informacioneve të para, intensivisht po punohet në zbardhjen e rastit.
“Departamenti për kontroll të brendshëm në koordinim me prokurorinë kompetente që nga mbrëmë është duke punuar intensivisht në zbardhjen dhe sanksionimin e një rasti të ryshfetit nga ana e zyrtarëve policorë në vendkalimin kufitar Bllacë. Pas zbardhjes së rastit dhe sanksionimit të autorëve, do ta informojmë publikun në mënyrë adekuate.”,- thuhet në njoftimin e MPB-së.
Pas arrestimit të shefit të pikës kufitare në Bllacë, nga MPB thonë se dyshohet se edhe policë të tjerë kanë të përfshirë në ryshfet-marrje dhe aksioni policor pritet të zgjerohet.
SANIJE DURAKU
