Greva në arsim, mësuesit grevistë në klasa, mësim nuk ka
Greva gjenerale e punonjësve të arsimit....

Greva gjenerale e punonjësve të arsimit hyri në ditën e tretë. Arsimtarët paraqiten në vendin e tyre të punës duke respektuar orarin, por pa zhvilluar mësim.
“Të gjithë arsimtarët paraqiten në vendet e punë dhe respektojnë orarin e punës, sa i përket nxënësve shkolla është e hapur për ta, por konkretisht sot nuk kemi nxënës prezentë që janë paraqitur në shkollë.”,- tha drejtoresha e Sh. F. “Liria”, Teuta Idrizi.
Por, arsimtarët janë decid, greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“Me këtë pagë që kemi tani rreth 25 mijë denarë dhe duke pasur parasysh standardin jetësor, mendoj se nuk do të arrijmë që t’i plotësojmë nevojat tona si arsimtarë dhe nëse e krahasojmë punën që bëjmë dhe atë që marrim, e shohim që nuk e kemi bilancin e duhur.”,- theksoi arsimtarja, Nazlie Miftari Memeti.
Prindërit përkrahin arsimtarët, por shprehen të shqetësuar për përkujdesjen e fëmijëve përderisa janë në punë.
“Mendoj se e meritojnë por edhe fëmijët e meritojnë që të mos humbin mësimin. Unë jam në punë dhe bashkëshortja në punë, falënderim prej Zotit që kam babanë dhe nënën.”,- u shpreh një prind.
“Duhet të qëndrojnë në grevë, kam fëmijë, por në shpi janë, askush nuk përkujdeset.”,- tha një prind.
Nga SAShK thonë se presin takim dhe ofertë konkrete nga MASh për rritjen e pagave.
“Ne jemi në kontakte të vazhdueshme me MASh-in dhe dëgjuam se do të ketë ofertë për rritjen e pagave, por duhet të ulemi të bisedojmë dhe t’ia paraqesim ofertën anëtarësisë. Shpresojmë se greva nuk do të vazhdojë gjatë dhe do të gjendet zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.”,- deklaroi përfaqësuesi i SAShK-ut, Zenafer Bajmak.
Nga MPPS thonë se greva vijon në 50 çerdhe, ndërsa në 25 nuk ka grevë. Sipas të dhënave të azhurnuara është rritur për 30% numri i fëmijëve që shkojnë në çerdhe. Deri më tani nuk ka ankesa nga këshillat greviste për pengesa gjatë zhvillimit të grevës. (Flutura Latifi, TVM2)
