VMRO dhe ASh: Veting në gjyqësi dhe politikë
Opozita kërkon veting në gjyqësi....

Opozita kërkon veting në gjyqësi dhe në politikën pas skandaleve të fundit me korrupsion të nivelit të lartë. Konsiderojnë se premtimet elektorale dhe deklarimet pro vetingut edhe nga subjektet politike në pushtet duhet të shndërrohen në vepra konkrete. Procesi i vetingut duhet të nis sa më parë, thonë nga VMRO-DPMNE.
“Duhet veting edhe për politikanët që të mundemi me politikanë të pastër dhe të sinqertë të bëjmë zgjidhje ligjore me të cilat askush s’do të mund të keqpërdorë pozitën e tij, do të bëhet veting edhe në gjyqësi dhe do të krijohen kushte në shtet që ato që janë të korruptuar të përgjigjen. Duket qartë se pushtetit jopopullor të Kovaçevskit dhe BDI-së nuk i përshtatet kjo.”,- deklaroi Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE.
ASh thotë se vetingun në gjyqësi e kërkon që nga viti 2018, të bazuar në përvojat ndërkombëtare.
“Për shkak të rrënimit të thellë të institucioneve të vendit, veçanërisht, institucioneve të jurisprudencës, gjyqësisë, prokurorisë, etj., ne kemi kërkuar një formë, një model të angazhimit me ekspertë ndërkombëtar nga ShBA dhe nga BE. Forma se si do të jetë ai kombinim i ekspertëve është çështje e diskutueshme varësisht prej kushtetutës dhe ligjeve në vend.”,- theksoi Elmi Aziri nga ASh.
LSDM: Ky proces po rrjedh në gjyqësi
LSDM në pushtet pranon se besueshmëria në gjyqësi është e ulët por, sipas tyre, procesi i vetingut në gjyqësi veç më ka filluar.
“Ndryshime ligjore ka dhe ky proces po rrjedh në gjyqësi. Këshilli gjyqësor është ai, i cili është kompetent për të shkarkuar gjykatës, pasi të ketë konstatuar cilët gjykatës kanë punuar në kundërshtim me ligjin, pa etikë, pandershmërisht dhe joprofesionalisht. Sipas metodologjisë së re janë shkarkuar rreth 20 gjykatës.”,- u shpreh Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Një organ tjetër që mund të bëjë observim të mirë të punës së gjykatësve është edhe Komisioni Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, i cili ka mundësi dhe mekanizma për të verifikuar gjendjen e pronësisë së gjykatësve dhe prokurorëve, njoftojnë nga LSDM. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
