Botë

Ukrainë, luftimet vazhdojnë, betejë e ashpër për Mariupolin

13.04.2022 17:06

Luftimet në Ukrainë janë fokusuar në qytetin e Mariupolit, forcat ukrainase po luftojnë për këtë qytetet...

Luftimet në Ukrainë janë fokusuar në qytetin e Mariupolit, forcat ukrainase po luftojnë për këtë qytetet dhe nuk dorëzohen pavarësisht se janë duke u mbaruar municionet, thanë zyrtarë ukrainas, duke hedhur poshtë disa raporte të mëparshme sipas të cilave qyteti ka rënë në duart e rusëve.
 
“Beteja nuk ka mbaruar ende. Rusët kanë pushtuar përkohësisht një pjesë të qytetit. Ushtarët ukrainas vazhdojnë të mbrojnë pjesët qendrore dhe ato jugore të qytetit, si dhe zonat industriale dhe pjesët tjera.”,- tha zëvendëskryetari i Mariupolit, Serhiy Orlov.
 
"Ky është një granatahedhës anti-tank me dorë. Mund ta shihni vetë, gjithçka këtu është djegur. Këtu mund të shihni një kallashnikov. Kur ndodhi një shpërthim, u hap zjarr. Streha e bombave u shemb. Ne do të zbresim tani. Janë ende trupat e dy civilëve të vdekur.",- u shpreh një ushtar rus.
 
Zelensky: Rusët na kërcënojnë me armë kimike, reagoni! 
 
Zelenski thotë se në betejat e Mariupolit rusët kanë përdorur municione fosfori dhe kërcënohen për përdorim të armëve kimike.
 
“Kërcënimet e përsëritura të propaganduesve rusë për të përdorur armë kimike kundër mbrojtësve të Mariupolit dhe përdorimin e përsëritur nga ushtria ruse të municioneve fosforike në Ukrainë, bota duhet të përgjigjet tani, në mënyrë parandaluese. Sepse pas përdorimit të armëve të shkatërrimit në masë, asnjë përgjigje nuk do të ndryshojë asgjë.”,- u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Gjermania vazhdon tregtinë me Rusinë, Steinmeier nuk është i mirëpritur në Kiev
 
Për shkak të sulmeve, BE i ka vendosur sanksione Rusisë që përfshijnë naftën dhe gazin rus. Në përjashtim të Gjermanisë e cila vazhdon tregtinë. Duket se kjo gjë e ka prekur Zelenskin, i cili e frenoi dëshirën e homologut gjerman, Frank Walter Steinmeier për të vizituar Kievin, duke e bërë të qartë se ai nuk do të ishte i mirëpritur atje. 
 
“Unë isha gati ta bëja këtë vizitë, por mesa duket – dhe duhet ta mbaj parasysh këtë – kjo nuk ishte e dëshiruar në Kiev.”,- tha presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier.
 
Nga kabineti i presidentit gjerman thonë se është  irrituese dhe veçanërisht gjë jo  e zgjuar që Ukraina të kërkojë më shumë mbështetje nga Gjermania, por të mos ishte e gatshme “të shihte” presidentin e saj.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU