KSI me propozim të ri: Të hiqet pasaporta e vaksinimit në kufi

13.04.2022 17:42

Komisioni për Sëmundje Infektive....

Komisioni për Sëmundje Infektive ka propozuar që të hiqet posedimi i detyrueshëm i certifikatës së vaksinës kundër Covid-19 gjatë  hyrjes në vend, ndërsa mbetet masa e njëjtë për posedim të certifikatës, në restorante e kafene.

Nga KSI thonë se heqja graduale e masave jep rezultate dhe kjo shihet pas rënies së përditshme të shifrave.

“Gjatë muajve të kaluar e hoqëm certifikatën e vaksinës për dalje nga vendi dhe tani e hoqëm edhe certifikatën që kërkohet  për hyrje në vend për të gjithë qytetarët pa dallim a janë qytetarë të vendit tonë apo janë të huaj që e vizitojnë vendin tonë.”,- tha zëdhënësi i KSI-së, Zllate Mehmedoviq.

Sali: Ende nuk e shpallim dot “të vdekur” Covid-in

Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, tha se ende nuk mund ta shpallim virusin korona “të vdekur”. 

“Fatkeqësisht ende nuk mund ta shpallim “të vdekur”. Megjithatë, shpresoj që sa më shpejtë të funksionojmë normalisht. Nuk mund të përcaktojmë kohën, por ne po punojmë, marrim informacione çdo ditë dhe e trajtojmë atë temë. Vazhdimisht diçka po lehtësojmë duke analizuar në ndërkohë nëse kemi vepruar drejt.”,- u shpreh ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.

Nga KSI-thonë se aktualisht nuk ka asnjë pacient në aparate të frymëmarrjes në repartet infektive në vend. Megjithatë, situata me vaksinimin në vend mbetet e pakënaqshme, për të rritur përqindjen nevojiten jo një por disa fushata. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)