Maqedoni
Hapet Qendra Pediatrike në Aerodrom të Shkupit
02.01.2015 19:01
Në Poliklinikën “Jane Sandanski” në Aerodrom të Shkupit, nga data 9 janar do të nis me punë Qendra e Pediatrisë...
Qendra hapet me qëllim që pacientët të mund të marrin shërbimet shëndetësore me kohë çdo ditë nga ora shtatë e mbrëmjes deri para mesnate, ndërsa të dielën prej orës tetë të mëngjesit deri në orën 23, periudhë kjo kur Klinika e Fëmijëve dhe Instituti për Sëmundje të Mushkërive te Fëmijët “Kozle” janë të stërngarkuara me pacientë.
Todorov, shprehet se në Qendrën e re të Pediatrisë do të jenë të angazhuar 70 mjekë pediatër dhe po aq infermiere.
“Udhëzimi shëndetësor nuk do të jetë i nevojshëm për marrjen e shërbimeve, që do të thotë se kështu do të shkurtohet koha e pritjes. Në këtë mënyrë do të ulet numri i pacientëve në Klinikën e Fëmijëve, që ndonjë mbrëmje arrin edhe në 100 pacientë. Në këtë qendër do të punojnë pediatër të Klinikës së Fëmijëve, të Spitalit “Kozle”, Shtëpisë së Shëndetit të Shkupit, si dhe mjekët pediatër të cilët kanë marrëveshje me fondin”- deklaroi ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov.
Qendra do të jetë e pajisur edhe me laboratorë, ku do të jenë të angazhuar laborantë nga Klinika Universitare e Shkupit. Projektet e tilla sipas drejtoreshës së Klinikës së Fëmijëve, Aspazija Sofijanova, do të ndikojnë që ata të fokusohen në rastet më të rënda.
Nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se së shpejti do të hapet edhe një tjetër qendër e ngjashme pediatrike, me qëllim të rritjes së efikasitetit në dhënien e shërbimeve.
MERAL ISMAILI
